6 Gusht, 2024 - 9:12 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot në sheshin e Prishtinës ka pritur sportistët që e përfaqësuan shtetin e Kosovës në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Ministri Çeku me këtë rast ka përgëzuar trajnerët dhe sportistët për arritjet sipas tij të shkëlqyera në “Paris 2024.
“Emocion, nder dhe krenari. Kampionët olimpikë u kthyen në shtëpi! Kënaqësi e madhe t’i mirëpresim olimpistët tanë të jashtëzakonshëm që na përfaqësuan në Lojërat Olimpike në Paris 2024. Në takimin e këndshëm me ta, i përgëzova për arritjet e shkëlqyera”, ka thënë Ministri Çeku.
Ai më tutje ka thënë se qytetarët me pritjen e tyre ua bënë të qartë sportistëve se sa krenarë është e gjithë Kosova me secilin.
“I falënderoj nga zemra sportistët e trajnerët për vendosmërinë dhe për emocionet që na i përcjollën gjatë këtyre ditëve, e gjithashtu edhe qytetarët që iu bashkuan kësaj ceremonie të veçantë. Së bashku vazhdojmë të festojmë sukseset që sportistët pandërprerë po i sjellin vendit tonë”, ka thënë Ministri Çeku./ KultPlus.com