Ministri Çeku: Serbia ka shkatërruar 1800 monumente, ka grabitur 3700 artefakte

23 Dhjetor, 2024 - 6:19 pm

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tha se gjatë luftës në mënyrë të qëllimshme Serbia ka shkatërruar afër 1800 monumente të trashëgimisë kulturore, ka grabitur mbi 3700 artefakte, objekte muzeale nga koleksioni publik nga Muzeu i Kosovës, ka grabitur dokumentacionin zyrtarë të monumenteve me qindra mijëra dosje, sikurse që ka shkatërruar 175 biblioteka publike me rreth 1. 7 milion libra shqip si dhe ka dëmtuar e grabitur qindra vepra arti.

Këto fakte, tregoi ai janë nxjerrë nga raporti që ka bërë Grupi Punues që u themelua për dokumentimin e shkatërrimin e qëllimshëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës gjatë viteve 1998 e 1999, raport i cili i është dorëzuar Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Tutje ministri tha se janë në fazën e hartimit të master-planit të projektit të madh për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” që tha se ka për synim shndërrimin e gjithë asaj hapësire në një muze të hapur ku dokumentohet një ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së.

“Angazhimi në këtë projekt ka filluar në vitin 2021 dhe janë ndërmarrë disa veprime përfshirë edhe themelimin e komisionit të ekspertëve, angazhimin e profesorëve të UP-së për të konstatuar qëndrueshmërinë e strukturave brenda kompleksit, etj”, tha ai.

Tregoi se përfundimisht në gusht të këtij viti u nënshkrua kontrata me një konsorcium të operatorëve serioz nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar e ekspertë nga vende të tjera të botës që brenda 22 muajsh nga nënshkrimi i kontratës kanë për detyrë hartimin e 22 produkteve në tërësi.

Ai foli edhe për themelimin e Muzeut të Gjenocidit. “Me këtë vendim i kemi të gjitha autorizimet e nevojshme për ta themeluar këtë institucion të rëndësishëm muzeal që dokumenton më shumë se një shekull krime të ish -Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë”.

Të ngjajshme