Ministri Çeku takohet me komunitetin artistik në Ferizaj, diskutojnë për zhvillimin e mëtutjeshëm në fushën e kulturës

2 Prill, 2022 - 2:30 pm

Diskutimi i radhës mes ministrit Hajrulla Çeku dhe komunitetit artistik u mbajt në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.

Një takim shumë konstruktiv dhe me plot ide për zhvillimin e mëtutjeshëm të fushës së kulturës.

Ministri Çeku në fjalën e tij tha që reforma pritet të ndahet në institucionet publike të kulturës, ku do të përcaktohen mënyra e funksionimit të tyre, struktura organizative, infrastruktura, dhe në anën tjetër, reforma që do të rregullojë edhe skenën e pavarur kulturore, artistin e pavarur, organizatat e kulturës.

Ndër temat që u diskutuan ishin mosharmonizimi ligjor, çështjet  dhe problematikat financiare dhe buxhetore me të cilat përballen shoqatat dhe individët që merren me kulturë, problemet që paraqet Ligji mbi financat publike, mirëmbajtja e objekteve publike të kulturës, pajisja me staf shtesë i drejtorive komunale për kulturë, trajtimi meritor i festivaleve, kufizimet që sjellin rregullativat ekzistuese ligjore, krijimi i një fondi të pavarur në kulturë dhe marrja përsipër e një bordi profesional që ta shpërndajë këtë fond, mënyra e financimit të institucioneve lokale të kulturës, festivalet tradicionale etj.

Gjithashtu u fol për investimin proporcional në kulturë, një përqindje ta financojë niveli qendror dhe përqindjen tjetër niveli lokal, më shumë manifestime kulturore me karakter ndërkombëtar, për Muzeun e Kujtesës, fuqizimin e trupave teatrore, mbështetjen e projekteve që i japin kulturës zhvillim bashkëkohor, artin televiziv, subvencionimi i përmbajtjes programore dhe shumë tema të tjera./ KultPlus.com

Të ngjajshme