Ministri Çeku takohet me komunitetin artistik në Gjakovë, diskutuan për funksionimin e kulturës, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme në këtë fushë

19 Mars, 2022 - 2:17 pm

Vendtakimi i radhës mes Ministrit Çeku dhe komunitetit artistik ishte në shkollën “Prenk Jakova” në Gjakovë.

Ministri Çeku takohet me komunitetin artistik në Gjakovë, diskutuan për funksionimin e kulturës, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme në këtë fushë

Me pjesëmarrësit e shumtë që ishin pjesë e këtij diskutimi të hapur, u fol për tema të rëndësishme, të ndërlidhura me funksionimin e kulturës, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme në këtë fushë.

Ministri Çeku në fjalën hyrëse ndër të tjera tha që ky është një vit i reformës ligjore dhe ridefinimit të politikave të kulturës pasi që burimi themelor i sfidave dhe problemeve që komuniteti ka, vijnë prej legjislacionit, politikave dhe gjithë mënyrës si organizohet jeta kulturore, edhe në institucionet publike të kulturës edhe në skenën e pavarur kulturore.

Ndër temat e diskutimit ishin reforma institucionale, programet kulturore për fëmijë dhe adoleshentë, xhirollogaritë dhe financimi i organizatave kulturore në nivelin lokal, problemi i shuarjes së festivaleve, përkrahja dhe kompensimi financiar në bazë të performancës, partneritetit ministri-komunë në përkrahjen e institucioneve të kulturës, definimin e statusit të artistit të pavarur në ligjin për kulturë.

Gjithashtu u fol për matjen e performancës dhe rritjen e audiencës, vlerësimin e trupave rezidente të teatrove dhe menaxhimi i tyre, për parkun publik kulturor “Ali Podrimja”, ndërrimin e mënyrës së subvencionimit të skenës së pavarur kulturore, përfundimin e shtëpisë së kulturës në Rogovë të Hasit, për nxitjen e bizneseve të sponsorizojnë në kulturë dhe shumë tema të tjera./ KultPlus.com

Të ngjajshme