Ministri Çeku takohet me komunitetin artistik në Mitrovicë

10 Shkurt, 2022 - 1:40 pm

Diskutimet e hapura mes Ministrit Hajrulla Çeku dhe komunitetit artistik tashmë janë shndërruar në një platformë të takimeve shumë konstruktive dhe efektive.

Pas Prishtinës ka filluar cikli i diskutimeve në qytetet tjera të Kosovës.

Mbrëmë takimi i mbajt në qytetin e Mitrovicës, një prej qendrave më të mëdha në Republikën e Kosovës dhe burim i shumë mekanizmave, organizatave dhe institucioneve kulturore.

Qëllimi i këtyre diskutimeve është që të dëgjohet zëri dhe propozimet e vet komunitetit kulturor për të parë këndvështrimin e tyre se si të rregullohet dhe zhvillohet më tej kultura në vendin tonë.

Ministri Çeku tha se ndjehet i lumtur që adresa e parë pas Prishtinës është Mitrovica, si një zgjerim i diskutimit me komunitetin për nevojat e reformës së përgjithshme kulturore e cila ka për bazë koncept dokumentin për kulturën si një udhëzues i përgjithshëm që do të parasheh rregullimin e legjislacionit, politikat lidhur me organizimin e institucioneve publike të kulturës, raportin e shtetit me skenën e pavarur kulturore, një vizion të ri për zhvillimin kulturor në Republikën e Kosovës.

Temat që u diskutuan ishin fondi për kulturën, gjetja e modaliteteve më të mira për hartimin e politikave kulturore, qasja e zhvillimit strategjik kulturor nga niveli qendror në atë lokal apo anasjelltas, investimet në infrastrukturën fizike, rinovimin e infrastrukturës ekzistuese, ndërtimin e objekteve të kulturës, harmonizimi i kuadrit artistik me tregun e punës, rritja e përkrahjes për punonjësit e artit në nivelin lokal, rinovimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, përmirësimin e listës së trashëgimisë duke mënjanuar objektet që nuk ekzistojnë, rritje e komunikimit mes muzeve në Kosovë, përmes krijimit të një rrjeti të muzeve lokale, kultura sportive tek fëmijët, rregullimi i çështjes së ansambleve të teatrove të qyteteve, përgatitja e kuadrove të reja teknike deficitare që janë pjesë e realizimit të aktiviteteve kulturore, bashkëpunimi mes teatrove duke rritur konkurrencën mes tyre nëpërmjet organizimit të ndonjë festivali, mbështetja e teatrove alternative, jo vetëm e teatrove profesioniste, mungesa e hapësirave kulturore, si kinematë, stimulimin e të rinjve që të merren më shumë me kulturë, zhvillimi i aktiviteteve dhe artit edhe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, galeria e artit të qytetit, rritja e aktiviteteve kulturore edhe në fushën e folklorit dhe tematika tjera që ndërlidhen me fuqizimin dhe përmirësimin e jetës kulturore në rajonin e Mitrovicës.

Ministri Çeku tha se duke dëgjuar për së afërmi kërkesat dhe shqetësimet e komunitetit, me reformën që ka nisur do të tentohet t’u jepet përgjigje këtyre problematikave. Ndërsa në fokus të investimeve në infrastrukturën fizike të objekteve të kulturës do të jenë rinovimet objekteve ekzistuese, me theks, teatrot e qyteteve. Pastaj, mundësinë e rritjes së bashkëpunimit kulturor duke e de burokratizuar dhe decentralizuar kulturën, çështjen e ansambleve, duke gjetur modalitetet më të mira, qoftë edhe përmes audicioneve, për të rritur konkurrencën, gjetjen e formës më të mirë të financimit dhe përkrahjes së institucioneve të kulturës dhe skenës së pavarur kulturore, ndërtimin e politikave më të mira shtetërore për veprimtarinë kulturore në vendin tonë, ishin disa prej pikave ministri vuri në pah se duhet të marrin përgjigje me reformën kulturore.

Ndër diskutuesit që kontribuuan me idetë dhe propozimet e tyre ishin: Valdete Idrizi, drejtoreshë për kulturë në Komunën e Mitrovicës, Lulzim Hoti nga OJQ “7 Artet”, Kushtrim Mehmeti regjisor, Adem Zhitopotoku nga Teatri i Qytetit të Mitrovicës, Erhan Mujka nga Kosovaars, Enis Kelmendi nga Shoqata e Historianëve në Mitrovicë, Nora Prekazi-Hoti, nga Muzeu i Qytetit Mitrovicë, Mehmet Preteni aktor nga Teatri “Muharrem Qena” në Mitrovicë, Zekë Murseli, nga OJQ “Aleksandër Moisiu”, Nerimane Ferizi artdashëse dhe aktiviste e shoqërisë civile në Mitrovicë, Erdogan Muhamet nga Birlik Mitrovica Turk Dernegi, dhe përfaqësues tjerë të shoqërisë civile./ KultPlus.com

Të ngjajshme