Ministri Çeku takohet me komunitetin e industrisë kreative, diskutojnë për përfshirjen e kësaj fushe në procesin e reformës kulturore

17 Mars, 2022 - 1:59 pm

Në kuadër të diskutimeve të hapura për kulturë mes Ministrit Hajrulla Çeku dhe komunitetit artistik, u mbajt takimi i radhës, ai me komunitetin i industrisë kreative.

Në një diskutim konstruktiv pjesëmarrësit folën për sfidat, propozimet, përfshirjen e kësaj fushe në procesin e reformës kulturore.

Ministri Çeku në fjalën e tij hyrëse është shprehur që fillimisht industria kreative duhet të hyjë në gjuhën e politikave kulturore dhe më pas të zhvillohet edhe më shumë ky sektor, në mënyrë që kultura dhe arti të përkthehet edhe në përfitim ekonomik për vendin.

Ndër temat tjera dhe idetë që u propozuan në këtë bashkëbisedim ishin zhvillimi i një koncepti për artet vizuale, ideja e themelimit të një entiteti të pavarur profesional i cili do të menaxhojë fondin publik për përkrahjen e skenës së pavarur kulturore, ku do të zhvilloheshin edhe mekanizmat monitorues, zhvillimi i kapaciteteve njerëzore në këtë sektor.

Gjithashtu u fol për industrinë e filmit të animuar, për mungesën e kuadrove dhe subvencionimin në këtë industri, realizimin e kampanjave promovuese për artin dhe kulturën, rregullimin i çështjes së pagesave ndërkombëtare, të drejtat e autorit e të tjera./ KultPlus.com

Të ngjajshme