5 Shkurt, 2024 - 10:56 am
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, sot viziton Kosovën, ku do të pritet nga homologu i tij kosovar, Ejup Maqedonci.
E pos Maqedoncit, ai pritet të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Me Osmanin, takimi do të fillojë nga ora 11:00 dhe më pas do të mbajnë konferencë për media, derisa takimi me Kurtin pritet të jetë nga ora 12:30.
Ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ceremonia zyrtare e pritjes së Pistorius, e shoqëruar me togun ceremonial të FSK-së, do të zhvillohet në objektin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke filluar nga ora 13:30.
“Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të hënën, më 5 shkurt, do të presë në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë, Boris Pistorius, të shoqëruar nga deputetët të Bundestagut dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Ceremonia zyrtare e pritjes, e shoqëruar me togun ceremonial të FSK-së, do të zhvillohet në objektin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke filluar nga ora 13:30”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se pas ceremonisë ushtarake, të dy ministrat e mbrojtjes dhe delegacionet përkatëse do të mbajnë takimin bilateral.
“Pas përfundimit të takimeve të planifikuara në Ministri të Mbrojtjes, agjenda ditore do të vazhdojë në Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit (QNKTSH), në Pomozatin, duke filluar nga ora 15:00. Me këtë rast, të dy ministrat e mbrojtjes do të shohin për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të kësaj Qendre”, thuhet tutje në njoftim. /KultPlus.com