Ministri Gonxhja për ‘Ditën e Visar Zhitit’ në Illinois: Një ditë për të kujtuar fuqinë e artit dhe të qëndresës

1 Shkurt, 2025 - 2:04 pm

Guvernatori i Illinois-it, JB Pritzker, ka shpallur 28 janarin si “Ditën e Visar Zhitit”, në nder të poetit dhe shkrimtarit shqiptar, simbol i rezistencës ndaj shtypjes.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale, i cili e cilësoi një moment historik për letërsinë dhe të drejtat e njeriut.

“Kjo datë përkon me lirimin e tij nga burgu më 28 janar 1987, duke e bërë këtë ditë një simbol të triumfit të lirisë mbi tiraninë. Në proklamatë theksohet fuqia e poezisë për të ndriçuar errësirën dhe kontributi i Visar Zhitit në pasurimin e kulturës në Illinois dhe më gjerë”, tha Gonxhja.

Gonxhja u shpreh se “proklamata iu dorëzua Visar Zhitit nga Presidenti i Komunitetit Shqiptar në Illinois, AACI, Edon Shaqiri dhe Presidentja e “Care for Albania”, Dr. Sonila Sejdaras në një ceremoni të mbajtur në Chicago,  ku morën pjesë personalitete shqiptare të fushave të ndryshme të cilët jetojnë dhe punojnë në SHBA”.

Shkrimtari Visar Zhiti ka lindur në Durrës, më 2 dhjetor 1952. Në rininë e tij u përndoq nga regjimi komunist. Ai ka mbajtur detyrat më të larta në institucionet shqiptare si deputet, ministër dhe diplomat i shtetit shqiptar.

Në vitin 1973, ai shkroi përmbledhjen me poezi “Rapsodia e jetës së trëndafilave”. Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës, në të cilin Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që tërhiqeshin nga kultura perëndimore.

Poeti i ri u bë një nga viktimat politike të diktaturës. Dorëshkrimi i përmbledhjes, dorëzuar për botim në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist.

Ai u arrestua më datë 8 nëntor 1979. U dënua në një gjyq farsë në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg.

Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe nisi punën në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste karriera e tij si shkrimtar, publicist e diplomat pati vetëm arritje.

Të ngjajshme