21 Dhjetor, 2021 - 8:50 pm
Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi thotë se aktualisht gjendja me COVID-19 është e qëndrueshme por nuk mund të ketë lehtësim masash kufizuese.
“Vendet në Evropë kanë një numër shumë të rritur me COVID-19 kanë probleme të jashtëzakonshme nëpër spitale, ndonëse e kanë sistemin shëndetësor shumë më të zhvilluar se ne. Ne për fat e kemi një gjendje shumë stabile epidemiologjike por ne duhet të jemi të kujdesshëm që kjo të mos na keqësohet ngase mund të keqësohet brenda ditës prandaj ne jemi gati për çdo ditë duke analizuar gjendjen epidemiologjike edhe me marr masa tjera nëse ka nevojë, tash për tash jemi mirë”, tha ai.
Ministri Latifi thotë se deri më sot nuk është regjistruar asnjë rast me variantin e ri Omicron të koronavirusit.
“Ne i marrim mostrat epidemiologjike që i dërgojmë jashtë vendit edhe ndoshta mund të kemi tani por deri më tash nuk kemi asnjë, shancat janë shumë të mëdha që edhe ne të kemi sikurse vendet e botës”, tha ai për Zërin e Amerikës.
Aktualisht në Kosovë ka filluar vaksinimi edhe me dozë përforcuese apo dozën e tretë për të mbrojtur qytetarët nga variantet e reja të COVID-19. Ministri Latifi thotë se vaksinimi është e vetmja mënyrë për të parandaluar vdekjet dhe shtrirjet në spital./KultPlus.com