Ministri serb i quan terroristë të vrarët në Reçak, reagon Apolloni: Për këtë deklaratë ministri duhet të arrestohet

16 Janar, 2023 - 1:58 pm

Masakra e 15 janarit të vitit 1999 në Reçak kishte tronditur botën, por Beogradi edhe sot pas 24 vjetësh vazhdon më propaganda dhe mohon këtë krim njerëzor të kryer ndaj shqiptarëve.

Ministri i Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale në Serbi, Nikola Selakoviq ka deklaruar se në Reçak kanë eliminuar siç thotë ai “terroristë”, duke iu referuar viktimave të masakrës – një krim makabër i kryer nga Serbia mbi shqiptarët.

Sipas Selakoviqit më 15 janar 1999, Serbia i ka luftuar “formacionet terroriste” dhe e vazhdon trillimin duke thënë se “shefi i atëhershëm i OSBE-së ka William Walker ka manipuluar”, por pa ofruar as një fakt se ku ka qëndruar “manipulimi”.

“Manipulimi i shkathët i përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare nën firmën e OSBE-së dhe udhëheqjen e William Walker e shndërroi këtë veprim antiterrorist në shkak të agresionit të NATO-s kundër atdheut tonë në vitin 1999”, ka propaganduar Selakoviq, ka raportuar Tanjug.

Për këtë reagim të ministrit serb, sot ka reaguar edhe shkrimtari Ag Apolloni i cili ka publikuar fotografi të një prej fëmijëve të vrarë në Reçak e i cilësuar nga ministri serb si terrorist.

Apolloni ka kërkuar që për këtë deklaratë të lëshuar, ministri Selakoviq duhet të arrestohet, Bashkimi Evropian duhet të reagojë dhe Haga nuk duhet të heshtë.

“Ky fëmijë shqiptar i vrarë nga serbët në Reçak, paska qenë terrorist, sipas ministrit serb Nikola Selaković. Për këtë deklaratë ministri duhet të arrestohet, Bashkimi Evropian duhet të reagojë, Haga nuk duhet të heshtë”, shkruan Apolloni. / KultPlus.com

Të ngjajshme