29 Gusht, 2020 - 2:15 pm
Komisioni Shtetëror i Maturës e ka vlerësuar të suksesshëm mbajtjen e Provimit të Maturës Shtetërore 2020, i cili këtë vit është organizuar për mbi 26 mijë maturanë në rrethana të pandemisë COVID-19.
Sipas KShM, raportet e para nga komunat, respektivisht nga të 184 qendrat ku është organizuar Testi, tregojnë se gjithçka ka shkuar sipas planifikimit të mbajtjes së testit në rrethana pandemie.
KShM ka konstatuar se tentimet për kopjim dhe shpërndarje të testit nëpër rrjetet sociale, këtë vit kanë qenë dukshëm më të vogla se në vitet e kaluara, ndërsa nuk është paraqitur ndonjë vështirësi, e cila do ta dëmtonte procesin.
KShM falënderon në radhë të parë nxënësit, të cilët i kanë respektuar masat e rekomanduara nga institucionet kompetente të shëndetësisë, e po ashtu edhe të gjithë personelin e angazhuar për mbarëvajtjen e këtij procesi.
Komisioni Shtetëror i Maturës falënderon po ashtu mediat, të cilat i kanë kontribuar këtij procesi, duke i informuar saktë nxënësit, pjesëmarrësit në proces dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.