13 Prill, 2020 - 2:54 pm
Në vazhdën e aktiviteteve për organizimin e procesit edukativ-mësimor për fëmijët e Kosovës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe “Save the Children”, së shpejti do të bëjnë lansimin e platformës “Edukimi në Distancë – Kujdesi, Zhvillimi dhe Edukimi në fëmijërinë e hershme për moshën 0-6 vjeç”.
Kjo platformë inovative ka për qëllim t’i mbështesë prindërit, kujdestarët ligjor dhe edukatorët në realizimin e aktiviteteve ditore dhe javore me fëmijët në kushte shtëpie, duke ndihmuar kështu, që në kontekstin e pandemisë COVID – 19, këto grupmosha të kenë kujdesin e duhur sa i përket zhvillimit emocional dhe edukimit.
MAShTI ju bën me dije se nga sot do të lëshohet në transmetim një video informuese, e cila do t’i informojë dhe udhëzojë prindërit dhe kujdestarët për përmbajtjen dhe mënyrën e përdorimit të platformës. / KultPlus.com