8 Tetor, 2022 - 3:11 pm
Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat së bashku me Inspektoratin e Tregut për monitorimim në terren rreth keqpërdorimeve potenciale të çmimeve se është duke monitoruar shitjen e pajisjeve efiçiente të energjisë, të cilat janë duke u subvencionuar nga Ministria e Ekonomisë, shkruan KultPlus.
“Që në hartim të masave të Subvencionimit të pajisjeve efiçiente, Ministria e Ekonomisë është duke punuar ngushtë me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila ka në mbikëqyrje Inspektoratin e Tregut. ME ka kërkuar gjithashtu angazhimin e Autoritetit të Konkurrencës, që ka kompetencë për të hetuar dhe për të parandaluar kartelet dhe keqpërdorimin e pozitës dominuese”, thuhet në postimin e ME-së.
Tutje bëhet e ditur se kjo masë ka për qëllim sigurimin e zbatimit të efektshëm të masave të subvencionimit, duke parandaluar ngritjen e çmimeve të pajisjeve, për të mbrojtur qytetarët si përfitues të subvencionit si dhe buxhetin e shtetit.
Ministria e Ekonomisë i ka ftuar qytetarët që në rastet kur vërejnë manipulime me çmimet, ose parregullsi të tjera, që të raportojnë rastet te Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, përmes faqes https://konsumatori.rks-gov.net ose numrit të telefonit pa pagesë: 0800 11 000. /KultPlus.com