Ministria e Kulturës hap përsëri konkurs për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”

14 Maj, 2024 - 12:28 pm

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka shpallur përsëri konkursin për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

I njëjti konkurs ishte hapur edhe një muaj më parë mirëpo kishte dështuar pasi asnjëri nga shtatë kandidatët e testuar, nuk kishin arritur të merrin 50 pikë, në mesin e tyre as ish-drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, as ushtruesja e detyrës së drejtorit, Bukurije Haliti.

Në konkursin e mëparshëm 13 kandidatë kishin aplikuar për këtë pozitë, ku 10 prej tyre ishin kualifikuar për fazën e radhës, shtatë kishin hyrë në testin me shkrim, por asnjëri nuk e kishte kaluar testin.

Blerina Rogova-Gaxha, Bukurije Haliti, Defrim Gashi, Fazli Gajraku, Gjon Berisha, Murteza Osdautaj, Qazim Azizi, Samir Sallahu, Shefqet Gjocaj, Shukrije Rama kanë qenë dhjetë kandidatët të cilët, sipas “njoftimit për verifikim paraprak” të datës 21 mars, i kishin “plotësuar kriteret e konkursit për të vazhduar më tej”.

Akif Shkreta, Flamur Maloku dhe Ismail Gagica ishin refuzuar. Konkursi ka qenë i hapur një muaj, nga 9 shkurti deri më 9 mars. Defrim Gashi, Murteza Osdautaj dhe Samir Sallahu nuk kanë marrë pjesë në test.

“Konkursi është anuluar sepse asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur pikët”, kishte thënë kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, drejtori i Bibliotekës Universitare dhe drejtori i Bibliotekës Komunale duhet të ketë së paku diplomë universitare. Mandati i drejtorit është katërvjeçar (4) me mundësi të rizgjedhjes, shkruhet në nenin 11 të Ligjit./KultPlus.com

Të ngjajshme