Ministria e Kulturës hap thirrjen për projektet e vitit 2023

26 Janar, 2023 - 1:47 pm

Ministria e Kulturës hapi thirrjen për projekte kulturore për vitin 2023.

Thirrja hapet mbështetur në politikat e qeverisë shqiptare për kulturën, për të gjallëruar jetën artistike, me një fokus të veçantë gjatë sezonit turistik si dhe për të promovuar trashëgiminë kulturore materiale e jomateriale.

Kjo thirrje synon mbështetjen e projekteve që zhvillohen në Shqipëri. Këtë vit do të mbështeten festivale, projekte që promovojnë trashëgiminë kulturore përmes teknologjisë, industritë kreative, publikime që lidhen me promovimin e trashëgimisë dhe vendit tonë etj.

Programi i Ministrisë së Kulturës për Artin dhe Trashëgiminë 2023 do të sigurojë mbështetje konkrete për industritë krijuese në vend, duke cekur të gjithë sektorët kulturorë, duke synuar mbështetjen e skenës së pavarur artistike, përmirësimin e cilësisë artistike, promovimin e prodhimeve të tyre dhe lehtësimin e qasjes në mekanizmat inovative të financimit.

Projekt-propozimet e paraqitura duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, që do të thotë se aktivitetet e propozuara duhet të zhvillohen brenda periudhës mars – nëntor 2023.

Thirrja për projekt-propozime do të qëndrojë e hapur deri në 25 shkurt 2023./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme