Ministria e Kulturës ndan çmimet në fushën e muzikës, në mungesë nominimesh nuk u nda çmimi për veprimtari jetësore

21 Qershor, 2023 - 2:07 pm

Sot, në Ditën Botërore të Muzikës, për të festuar dhe nderuar arritjet e muzikantëve të shquar, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ndau çmimet vjetore në fushën e muzikës. 

Juria profesionale, në përbërje prej kompozitorëve dhe dirigjentëve Baki Jashari, Kushtrim Gashi dhe Hajrullah Syla, pasi vlerësoi propozimet dhe analizoi veprat që kanë konkuruar në ftesën publike, vendosi si vijon:

Çmimi për vepër vokalo – instrumentale, i ndahet kompozitorit Mendi Mengjiqi për veprën “Exodus” për solo sopran, kor dhe orkestër simfonike.

Çmimi për vepër orkestrale – simfonike dhe koncertante, i ndahet dy kompozitorëve Ersan Januzi për veprën “Take a deep breath” për orkestër simfonike dhe Dafina Zeqiri Nushi për veprën “Wind” për orkestër simfonike.

Çmimi për vepër kamertale i ndahet Kreshnik Aliçkaj për veprën “Passacaglia” për orkestër harkore, harpë, çelestë dhe perkusione si dhe Valton Beqiri për veprën “XX” për kitarë dhe orkestër harqesh. Në pamundësi të pjesëmarrjes në ceremoni, të dyja çmimet u pranuan nga familjarët dhe kolegët e tyre.

Çmimi për vepër korale me ose pa shoqërim instrumental, i ndahet kompozitores Dea Ahma për veprën “De Vita et morte ” për zëra solo, narrator, tri kore mikse dhe përkusione.

Çmimi për vepër solistike dhe duo i ndahet kompozitorit Drinor Zymberi për veprën “Tri pjesë për klarinet dhe piano”.

Në mungesë të nominimeve nga institucionet përkatëse, juria profesionale këtë vit nuk ndau Çmim Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani”./KultPlus.com

Të ngjajshme