24 Shtator, 2019 - 10:50 pm
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sonte ka ndarë mirënjohje për të mbijetuarën e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit, Vasfije Krasniqi-Goodman.
Këtë mirënjohje, Krasniqi-Goodmanit ia ka dorëzuar ministri Kujtim Gashi.
“Në shenj të kontributit të veçantë dhe të rrallë në sensibilizimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për mes artit për përjetimet, dhe vuajtjeve të 20-mijë grave shqiptare gjatë luftës 98-99 në Kosovë, në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndajmë mirënjohje për zonjën Vasfije Krasniqi-Goodman”, theksoi Gashi, raporton kosovapress.
Krasniqi-Goodman vlerësoi lart mirënjohjen e dhuruar nga Ministria e Kulturës dhe shprehu besimin që edhe në formë të artit të thyhet stigma që kanë 20-mijë gra të dhunuara gjatë luftës.
“Qëllimi im për me dal në publik ka qenë që ta thyejë stigmën që kanë pasur shumë femra shqiptare qe 20 vjet dhe shpresoj që në forma të ndryshme ta thyejmë stigmën, kështu që njëra prej tyre është përmes artit”, deklaroi ajo.
Në Shtëpinë e Kulturës në Prizren ku u nda mirënjohja për Krasniqin-Goodmanin, u dha edhe një shfaqje me titull “Bisha në hënë”.
Krasniqi-Goodman është e para grua e mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës së vitit 1999 e cila foli publikisht për përjetimet gjatë torturës seksuale gjatë luftës. Ajo jeton në Teksas të SHBA-ve, është e martuar dhe është nënë e dy fëmijëve. Tashmë 36 vjeçarja, Krasniqi-Goodman ishte vetëm 16 vjeçare kur u dhunua nga policët serbë. /KultPlus.com