16 Gusht, 2021 - 2:20 pm
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se janë duke punuar për t’i identifikuar shtetasit e Kosovës që ndodhen në Afganistan në mënyrë që të njëjtit të largohen sa më shpejt nga atje.
Deri sot, sipas njoftimit të ministrisë, janë edhe tre shtetas kosovar me të cilët është në kontakt qeveria.
Tutje, bëhet e ditur se ata janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të rrezikuar.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), është duke vazhduar angazhimin intensiv edhe gjatë ditës së sotme për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës që ndodhen në Afganistan me qëllim të largimit sa më të shpejt nga atje.
Deri në mesditën e së hënës, MPJD është në kontakt të drejtpërdrejt me tre shtetas dhe po angazhohet për t’ju dalë në ndihmë. Ata janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të rrezikuar”, thuhet në njoftim.
Ministria ka bërë publik edhe numrin ku qytetarët duhet të lajmërohen.
“MPJD-ja u bënë thirrje të gjithë shtetasve tanë në Afganistan që të lajmërohen në linjën emergjente me numër +383 45 492 316, për të marrë sa më parë udhëzimet dhe ndihmën e duhur”, thuhet në njoftim.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që së bashku me partnerët ndërkombëtar të ofroj të gjitha mjetet në dispozicion deri në evakuimin e të gjithë shtetasve tanë nga Afganistani”, bëri të ditur ministria./KultPlus.com