Ministria e Turizmit dhe AKZM plan për shpalljen zonë e mbrojtur të Pashtrik-Morinë

22 Korrik, 2024 - 3:58 pm

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kanë nisur punën për hartimin e planit të shpalljes zonë e mbrojtur e Kategorisë IV (Park Natyror), të zonës Pashtrik-Morinë.

Ky plan vjen si mbështetje në vlerat e natyrës dhe të biodiversitetit që ka ekosistemi natyror Pashtrik-Morinë, sikurse dhe mbi bazën e dispozitave që rrjedhin nga ligji “Për zonat e mbrojtura”, i ndryshuar, që si objekt të tij, ndër të tjera, ka shpalljen e zonave të mbrojtura mjedisore.

Pashtriku është një mal që gjendet në Kosovë dhe në Shqipëri, me një lartësi prej 1,986 metra.

Përgjatë këtij mali kalon Lumi i Drinit të Bardhë në Kosovë. Dy të tretat e malit i përkasin Shqipërisë.

Pashtriku është i vendosur në veri-lindje të Shqipërisë, ndërsa fshati Krumë është i pozicionuar në krah të tij. Pjesa tjetër, pra një e treta e malit është në Kosovë dhe është e vendosur në pjesën jug-perëndimore të Kosovës, e cila është dhe park natyror.

Kjo iniciativë është ndërmarrë që në vitin 2016 me idenë e shpalljes në të dy anët e kufirit si park natyror ndërkufitar.

Në bazë të pozicionit gjeografik ky territor lidh tre zona të rëndësishme ekologjike në Shqipëri siç janë Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, Parku Nayror “Munella” dhe Parku Natyror “Korab – Koritnik”.

Zona përfaqëson një nga korridoret ekologjike më të rëndësishme për sa i përket biodiveristetit të larmishëm që ka.

Referuar territorit të propozuar zona përfaqësohet nga habitatet kullosore, habitati i pyjeve të ahut, habitati i pyjeve të dushkut dhe fletorëve të tjerë si dhe habitati shkëmbor dhe i sipërfaqeve me bimësi pyjore.

Në këtë zonë ndodhen: lule feniksi serbe (Ramonda serbica), panja e heldrahut (Acer heldreichii), zambaku shqiptar (Lilium albanicum), tulipani shqiptar (Tulipa albanica), barë pezmi gjuhëz (Achillea lingullata), qepa e bardhëme (Allium victorialis), aguliçja e vogël (Primula minima), klokëza lulemadhe, etj.

Lidhur me faunën e egër kjo zonë identifikohet si një nga korridoret ekologjike që përdoret kryesisht nga mishngrënësit e mëdhenj (ariu i murrmë, ujku dhe rrëqebulli).

Zona e Pashtrikut strehon gjithashtu një popullatë shumë të rëndësishme lakuriqësh nate në krahasim me njohuritë aktuale mbi popullatën e lakuriqëve të natës në Shqipëri dhe këto specie kërkojnë në vijimësi mbrojtje sipas legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Mbrojtja e zonës do të ndihmojë pa dyshim ruajtjen e lakuriqëve të natës në Shqipëri, me më shumë vëmendje në këtë fushë, mundësitë e mbështetjes financiare si dhe specifike veprimet që mund të zhvillohen dhe zbatohen nga popullsia lokale dhe palët e interesuara.

Duke ju referuar vlerave të larta të biodiversitet që zona mbart dhe rëndësinë si korridor ekologjik është e rëndësishme që zonës t’i jepet statusi ligjor si zonë e mbrojtur mjedisore, pasi në këtë zonë strehohen shumë lloje që janë në rrezik zhdukje dhe kërkojnë ruajtje dhe kujdes të veçantë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme