23 Maj, 2020 - 2:51 pm
Të vegjlit dhe nxënësit edhe për një kohë të pacaktuar do të qëndrojnë në shtëpi. Ata do të vazhdojnë të ndjekin mësimin online nga shtëpia ndërsa për të vegjlit do të kujdesën akoma prindërit e tyre.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK) nuk kanë vlerësuar pozitivisht hapjen e çerdheve dhe shkollave.
Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka treguar se mbrëmë ka mbajtur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryetarin e IKShPK-së, Naser Ramadanin ku është propozuar që mos të hapen ende çerdhet dhe shkollat.
“Kemi presion edhe nga prindërit se kur do të hapen çerdhet dhe shkollat andaj edhe mbrëmë kemi mbajt një takim me ministrin e shëndetësisë dhe me Institutin e Shëndetësisë, mirëpo nuk kemi marr ndonjë përgjigje pozitive ata janë kundër hapjes së shkollave dhe çerdheve për shkak se afërsia është shumë me njëri-tjetrin, kujdestaret e çerdheve duhet të kenë kujdes ndaj tyre t’i ushqejnë ata kështu që në këtë aspekt jemi shumë skeptik, për shkak të mbajtjes së distancës dhe mbajtjes së masakve, kështu që nuk kam ndonjë përgjigje se kur do të hapen”, ka thënë Bajrami për Insajderin.
Bajrami ka bërë të ditur se ministri Vitia ka propozuar që të bëhet një vlerësim për gjendjen me COVID-19 në vend dhe se a mund të kalohet në fazën e tretë.
“Mirëpo gjatë takimit me propozim të ministrit Vitia dhe Naser Ramadanit kemi vendos për të pritur deri me 29 maj sepse prej 25 deri 29 duhet bërë një vlerësim për gjendjen nëse mund të kalojmë në fazën e tretë apo të bëjmë hapa prapa”, ka treguar Bajrami.
Gazeta Insajderi ka provuar të marr një përgjigje edhe nga instituti i shëndetit mirëpo kanë qenë të pacasshëm.
Hapjen e çerdheve e ka kërkuar edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Sugjeroj që çerdhet të jenë të parat që hapen, jo që ka dallim të madh të shkollave por meqenëse njerëzit punojnë ka filluar hapja e kompanive. Po ashtu, siç kanë vendos edhe shtetet skandinave të Evropës, njëherë janë hapur klasat 1-5 ku edhe mundësia e përhapjes së virusit është më e vogël, ku na jep kohë që ngadalë të rihapim krejt Kosovën”, ka thënë Ahmeti.
Përpos cerdheve në Kosovë janë mbyllur edhe shkollat.
Nxënësit kosovarë që nga 23 marsi i këtij viti, mësimet nuk po i ndjekin në bankat shkollore mirëpo përmes televizionit. Kjo masë është ndërmarrë nga MASHTI për shkak të gjendjes me coronavirus në Kosovë, në mënyrë që nxënësit të mos humbin nga procesi mësimor.
E vazhdimi i mësimit në distancë është paraparë të zgjasë deri në përfundim të këtij viti shkollor.
Viti shkollor 2019/2020 për nxënësit e klasave 9,10 dhe 11 përfundon më 11 qershor 2020, kurse për nxënësit nga klasa e 1-8 përfundon dy javë më vonë më 26 qershor 2020.
Për maturantët ky vit shkollor përfundon më 20 maj 2020, ndërkaq MASHTI dje ka njoftuar se provimi shtetëror i Maturës do të mbahet në javën e parë të muajit korrik 2020.
Provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë maturantët. Testi do të ketë gjithsej 100 kërkesa (pyetje, detyra), nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira dhe do të zgjasë 150 minuta. /Insajderi.org / KultPlus.com