29 Tetor, 2020 - 1:31 pm
Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi sot ka qenë në qytetin e Ferizajt bashkë me zëvendësministrat Halil Matoshi e Qazim Rrahmani dhe është pritur nga kryetari i kësaj komune Agim Aliu. Me këtë rast është përuruar kompleksi i fushave të tenisit dhe është vënë gurthemeli i Pallatit të Kulturës, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në profilin e saj në facebook, ministrja Dumoshi ka bërë të ditur se fushat e tenisit janë një investim në vlerë prej 100 mijë eurove.
Tutje ajo ka treguar se Pallati i Kulturës që sot ju vu gurthemeli, është i pari i këtij lloji në Kosovë.
“Bashkë me Kryetarin dhe aktorët e Teatrit të Ferizajt vëmë edhe gurthemelin e vendit ku po ngrihet Pallati i Kulturës, i pari i këtij lloji në Kosovë për nga kapaciteti dhe shtrirja e veprimtarive, gjithashtu i përkrahur financiarisht nga MKRS”, ka shkruar Dumoshi.
Ajo ka bërë të ditur se në Pallatin e Kulturës do të zënë vend qendra rinore, teatri dhe biblioteka e këtij qyteti.
Qëndrimin në Ferizaj, Vlora Dumoshi e ka vazhduar duke vizituar palestrën sportive “Bill Klinton”, për shqyrtim të nevojave dhe përmirësimeve të duhura./KultPlus.com