2 Korrik, 2020 - 8:32 pm
Ministrja Dumoshi takoi gazetarët sportivë në shënim të Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit, shkruan KultPlus.com
“Në nderim dhe respektim të punës të gazetarëve të sportit, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim gazetarë të sportit për nder të ditës së tyre, Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Këtu keni njoftimin e plotë”:
“Ministrja Dumoshi takoi gazetarët sportivë në shënim të Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit
2 korriku është ditë shumë e veçantë për gazetarët e sportit në tërë botën, shënohet Dita Botërore e Gazetarëve Sportiv, si simbolikë e themelimit të Shoqatës Botërore të Gazetarëve të Sportit më 1924.
Në nderim dhe respektim të punës të gazetarëve të sportit, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim gazetarë të sportit për nder të ditës së tyre, Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit.
Ministrja Dumoshi u shpreh se falë angazhimit të gazetarëve e komentatorëve sportivë, miliona sportdashës në të gjithë botën marrin informacione për klubet apo sportet e preferuara.
Në këtë ditë të shënuar, njohim kontributin e gazetarëve për promovimin e sportit, të cilët e bëjnë sportin edhe me të qasshëm për audiencën, e më të dashur për secilin prej nesh, tha ministrja Dumoshi.
Kosova numëron numër të madh të gazetarëve sportivë, të cilët me përkushtimin e tyre i kanë kontribuar sportit kosovar. Ministrja theksoi se ajo dhe Ministria që drejton vlerësojnë lart punën e të gjithë gazetarëve e komentatorëve sportivë në Kosovë veçmas kontributin e çmuar të gazetarëve: Ali Shala, Gani Ajeti, Agim Kasapolli, Azem Brovina, Gani Kosumi, Agim Binaku, Kemal Qarkagjiu, Burim Hatipi, Fehmi Sejdiu, Abaz Lula, Mustafa Lecaj, Veli Vraniqi e shumë të tjerëve.
Të pranishëm në takim ishin edhe drejtuesit e Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, shoqatë kjo e anëtarësuar në Shoqatën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë.
Gazetarët e pranishëm shpalosën para Ministres sfidat me të cilat përballen dhe theksuan që për avancimin e sportit në Kosovë, ndihma institucionale është thelbësore.
Ministrja falënderoi të pranishmit për takimin e përzemërt, u shpreh e gatshme për bashkëpunim sa herë që është e nevojshme si dhe i inkurajoi ata që të vazhdojnë të punojnë me përkushtim në mënyrë që bashkërisht të kontribuojnë për avancimin e sportit në Kosovë.
Ata e njoftuan ministren Dumoshi për punën dhe planet e shoqatës. Kosova planifikon të jete nikoqire e takimit të ardhshëm të Asociacionit të Gazetarëve Sportiv të Evropës Juglindore, kurdo që të krijohen kushtet për t’u realizuar një kongres i këtillë. Pritet që të marrin pjese rreth 300 gazetarë sportiv në këtë ngjarje, theksoi gazetari Edmond Thaçi, kryetar i shoqatës, duke vlerësuar se një kongres i këtillë do të kontribuojë gazetarisë sportive në Kosove por edhe promovimit të Kosovës në përgjithësi.
Ndër temat që u diskutuan në takim ishte edhe përmirësimi i kushteve për gazetarët në palestra dhe në fusha sportive. Rregullimi i infrastrukturës për media i ndihmon transmetimit sa më të mire të ndeshjeve.
Ministrja i siguroi që stadiumet e terrenet të cilat do të jenë sipas kritereve dhe standardeve ndërkombëtare do të kenë hapësira të veçanta e komode për gazetarë e komentatorë”. / KultPlus.com