11 Gusht, 2020 - 2:21 pm
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi bashkë me zv-ministren Vladete Bajrami dhe përfaqësues të MKRS-së vizituan sot Komunën e Malishevës. Ministrja dhe delegacioni i MKRS-së u mirëpritën nga Kryetari i Komunës Ragip Begaj i cili e falënderoi Ministren Dumoshi veçanërisht dhe përfaqësuesit e tjerë të MKRS-së për vizitën që po i bëjnë kësaj komune.
Gjatë takimit u bisedua për projektet të cilat priten të finalizohen në këtë komunë dhe bashkëpunimin e Komunës së Malishevës me MKRS-së në fusha të ndryshme veçanërisht në trashëgimi kulturore e sport.
Ministrja Dumoshi u shpreh e lumtur që po e vizion Malishevën dhe e siguroi Kryetarin Begaj se mbështetja për këtë komunë do të jetë më e madhe se që ka qenë në të kaluarën.
“Konsideroj se qytetarët e Malishevës kanë nevojë të madhe për hapësira sportive dhe kulturore prandaj si Ministri do të bëjmë gjithçka brenda kapaciteteve tona ekzistuese që ta ndihmojmë komunën të shtyjë përpara projekte që janë në dobi të qytetarëve” – u shpreh Ministrja Dumoshi.
Ndër të tjera Ministrja falënderoi edhe deputetët Fetah Rudi e Arbresha Krasniqi, të cilët iu bashkëngjitën kësaj vizite.
Kryetari Begaj theksoi që e gëzon vizita e Ministres Dumoshi dhe theksoi që komuna që ai udhëheqë ka shumë nevojë për mbështetje.
“Malishevës i duhet përkrahje shumëfish me madhe institucionale se në të shkuarën, për arsye se ka qenë komunë e cila nuk ka pasur asgjë të trashëguar nga e kaluara. Ne kemi pasur vazhdimisht përkrahje dhe jam shumë i bindur që ministrja do t’i ketë parasysh të gjitha ato projekte të cilat i kontribuojnë kësaj komune dhe këtij komuniteti”, deklaroi pas takimit Begaj.
Pas takimit në komunë, Ministrja Dumoshi, Kryetari Begaj dhe përfaqësuesit e tjerë bashkërisht vizituan edhe stadiumin e qytetit të Malishevës.
Nga aty Ministrja Dumoshi bëri thirrje që kuvendi komunal i kësaj komune të thellojë edhe më shumë bashkëpunimin me MKRS-në ardhmen, në mënyrë që bashkërisht t’i shtyjnë përpara projektet e MKRS-së në këtë komunë.
Të gjitha Komunat pa dallim do të përkrahen nga MKRS dhe do të jenë në fokus të prioriteteve të ministrisë. / KultPlus.com