Ministrja Dumoshi zotohet për angazhim maksimal për të rinjtë në Kongresin Kombëtar të të Rinjve të Kosovës

6 Gusht, 2020 - 5:30 pm

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi mori pjesë në debatin virutal të organizuar nga Kongresi Kombëtar i të Rinjve të Kosovës në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich – Ebert në temën “Ndikimi social dhe kulturor – aktivizmi rinor”

Pika kryesore të kësaj bisede ishin sfidat e të rinjve në kohën e pandemisë me theks tek aktivizmi online, roli i institucioneve në përfshirjen e të rinjve në menaxhimin e situatës me COVID- 10, mbështetja e iniciativave rinore në rritjen e aktivizmit rinor gjatë pandemisë dhe sfidat për mësim studimin online ne muajt në vijim.

Ministrja Dumoshi u shpreh e lumtur që po merr pjesë në këtë debat ku fokusi kryesor është rinia dhe angazhimi i tyre. Ajo u shpreh se përfshirja e të rinjve në jetën social-kulturore është jetike për të gjitha shoqëritë, por gjithmonë më tepër për një shoqëri si e jona ku të rinjtë janë pjesa dërrmuese e popullsisë.

Ministrja u bëri të ditur pjesëmarrësve të këtij takimi që MKRS në bazë të thirrjeve publike për mbështetje financiare të cilat kanë qenë të hapura për aplikim, sidomos në kohën e pandemisë ka ndihmuar dhe do të ndihmojë në fushën e rinisë në shumë totale prej 820.000 euro. Saktësisht MKRS ka ndarë përkrahje financiare në shumë prej 250.000 euro për trajnimin e të rinjve për ndërmarrësi, 100.000 euro për integrim shoqëror dhe 100.000 euro për edukim shëndetësor. Aktualisht janë të hapura edhe dy thirrje në shumë 250.000 euro për zhvillim të politikave rinore dhe 120.000 për edukim joformal.

Ministrja shpalosi aktivitetet që ka drejtuar përgjatë kësaj kohe, të cilat ndonëse të reduktuara për shkak të situatës me COVID – 19 janë realizuar brenda kapaciteteve ekzistuese që ka MKRS.

Ndër të tjera tregoi për nismën që MKRS dhe UNKT në Kosovë ndërmorën në rrjete sociale për të luftuar gjuhën e urrejtjes duke i shndërruar të rinjtë në agjentë të ndryshimit social si dhe shpalosi takime e aktivitete të tjera virtuale në të cilat ka marrë pjesë ku është angazhuar maksimalisht që të jetë zëri i të rinjve kosovarë pa dallim moshe, gjinie, etnie apo përkatësie tjetër shoqërore.

Ministrja tha se është e lumtur që ndan lajmin e mirë që Ministria që ajo drejton, do të mbështesë financiarisht ndihma në fushën e ndërmarrësisë për trajnimin e të rinjve, edukimin jo-formal duke i kontribuar kështu mobilizimit të të rinjve për pjesëmarrje aktive qytetare.Ftuesit e falënderuan ministren për pjesëmarrjen dhe u shprehën të lumtur që përmes kësaj bisede arritën të shohin pasqyrën reale të gjendjes aktuale duke e parë si shpresëdhënës angazhimin e saj direkt për përfshirjen e të rinjve në jetën social-kulturore në Kosovë.  / KultPlus.com

Të ngjajshme