Ministrja Gërvalla- Schwarz uron Pashkët nga Sicilia: Arbëreshët janë model i atdhedashurisë për të gjithë shqiptarët

31 Mars, 2024 - 1:55 pm

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka uruar festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve katolik nga Hora e Arbëreshëve në Sicili, shkruan KultPlus.

Ministrja Gërvalla-Schwarz përmes një shkrimi në Facebook ka treguar se është mahnitur me pritjen që i është bërë nga shqiptarët të cilët jetojnë në këtë rajon të Italisë.

Gërvalla më tej tha se trashëgimia që kjo etni shqiptare i lë gjeneratave të reja siç janë dashuria për identitetin, gjuhën, traditën dhe kulturën, i bën ata të jenë model jo vetëm për mërgatën por për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Ministres Gërvalla- Schwarz:

Nga festa e madhe e Arbëreshëve në Sicili, të gjithë motrave dhe vëllezërve tanë të krishterë iu uroj Pashkët, festën e paqes, dashurisë dhe triumfit, ashtu siç triumfuan me shekuj arbëreshët me vendosmerinë e tyre për të ruajtur identitetin, traditën, gjuhën dhe kulturën.

Emocione të papërshkrueshme gjatë festës së sotme në Hora të Arbëreshëve, një vend me njerëz të mrekullueshëm, të dashur, e të vendosur për të ndërtuar ura bashkëpunimi me Kosovën dhe qytetarët e saj, një pjesë e të cilëve kishin ardhur nga Kosova dhe mërgata dhe sot mbushnin sheshin e Horës për të festuar Pashkët së bashku me Arbëreshët.

Të vetëdishëm për të kaluarën, trashëgimia që i lënë gjeneratave të reja dhe dashuria për identitetin, gjuhën, traditën dhe kulturën i bën ata të jenë model, jo vetëm për diasporën dhe mërgatën tonë, por për qytetarët tanë në Kosovë në përgjithësi se si duhet ruajtur gjithçka që është krijuar shekuj e shekuj më parë e që njëkohësisht përbën ekzistencën tonë kombëtare.

Pashkë të bardha e të gëzuara për

të gjithë ju!/ KultPlus.com

Të ngjajshme