Ministrja Haxhiu mblodhi Grupin Ndërministror Kundër Dhunës në Familje

27 Qershor, 2023 - 2:34 pm

Sot, me ftesë të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është mbledhur Grupi Ndërministror Kundër Dhunës në Familje ku është diskutuar mbi përgjigjen institucionale dhe mos përgjigjen e disa nga institucioneve përgjegjëse të përmendura në rekomandimet e Institucionit të Avokatit të Popullit për rastin e 11 vjeçarës.

Po ashtu, u prezantua dakordimi i arritur për formën e raportimit të Strategjisë Kombëtare Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave 2022-2026, si dhe procesi për vendosjen e sistemit për mbikëqyrjen e hallkave elektronike për dhunuesit.

Në mbledhjen e kaluar të GNKDHF, me datë 7 prill, ministrja Haxhiu ka prezantuar gjetjet e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe rekomandimet e dalura nga ky raport për secilin institucion. Pas këtij takimi, të njëjtat janë dërguar edhe me shkresë zyrtare tek institucionet relevante.

Gjatë takimit të sotëm, ndër të tjera u diskutua për përgjigjet e institucioneve si dhe mos përgjigjet e disa prej tyre. Ministrja Haxhiu ka vlerësuar se është shqetësuese që Këshilli Prokuroial i Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, nuk kanë kthyer përgjigje rreth rastit në fjalë, kjo sidomos kur bëhet fjalë për rastin e viktimave të dhunimeve seksuale fëmijë.

Për trajtimin e rastit të vajzës 11 vjeçare, Ministrja ka shprehur shqetësimin e saj për mos koordinimin institucional dhe mos veprimin e duhur në këtë drejtim. Andaj, Grupi Koordinues u dakordua për një takim urgjent të personave përgjegjës që të adresohet saktësisht dhe detajisht secili veprim dhe mosveprim i tyre.

Tutje, nga pranimi i planeve të veprimit dhe dokumenteve të tjera relevantë për rastin në fjalë, Ministria e Drejtësisë ka shprehur shqetësimin e saj për trajtimin dhe plotësimin shabllon të të gjitha dokumenteve në rastet që trajtohen dhe në takim u njoftua se ky format i dokumenteve nuk është përditësuar asnjëherë që nga viti 2003.

Ministrja dhe grupi janë dakorduar që menjëherë të adresohet kjo çështje dhe të fillohet puna në krijimin e formave dhe dokumenteve relevante në përputhje me zhvillimet shoqërore sepse nuk ka kuptim që për 20 vite të mos përditësohen format.

Grupi Ndërministror vlerësoi organizimin e punëtorisë gjithditore nga Ministria e Drejtësisë, pasi që nga e njëjta është arritur që të krijohet standardi i raportimit të institucioneve në zbatimin e plotë të aktiviteteve që dalin nga Strategjia Kombëtare Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave 2022-2026.

Ministrja Haxhiu ka njoftuar Grupin se Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar buxhetin për blerjen e hallkave elektronike dhe tashmë Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar procedurat për pajisjen me hallka elektronike.

Duhet të theksohet se Ligji për Mbikëqyrje Elektronike ka hyrë në fuqi me 1 korrik 2015 dhe asnjëherë nuk ka filluar të implementohet. Mbikëqyrja elektronike do të kontribuojë në parandalimin e dhunës apo vrasjeve duke lehtësuar monitorimin e lëvizjes së dhunuesëve. / KultPlus.com

Të ngjajshme