Ministrja Haxhiu shqyrton themelimin e Qendrës për trajtimin e dhunimeve seksuale

15 Mars, 2024 - 11:03 am

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në konferencën “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu gjyqësor për përgjigje gjyqësore efektive” ka thënë se janë në shqyrtim të themelimit të Qendrës së parë referuese për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale.

“Momentalisht jemi duke bërë një vlerësim për themelimin e Qendrës së parë referuese për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale si dhe zhvillimin e procedurave standarde të veprimit”, ka thënë Haxhiu.

Departamenti për politika sociale ka kaluar në kuadër të MD-së tash e një vit, për shkak të mungesës së burimeve dhe protokolleve për të mbuluar të gjitha format e dhunës në Qendrat për Punë Sociale. Haxhiu këtë ndryshim e ka cilësuar si reformë të thellë për trajtimin e këtyre rasteve.

“Në vitin 2020 Kosova përfshiu në Kushtetutën e saj Konventën e Stambollit. Që nga ajo kohë ka pasur përpjekje për adresimin e obligimeve që dalin nga e njëjta. Në tetor të vitit të kaluar, Kuvendi miratoi ligjin për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore. Ministria e Drejtësisë ka ofruar mbështetje për komisionin përkatës të Kuvendit dhe i njëjti ligj është në frymën e Konventës së Stambollit dhe ka zgjeruar fushëveprimin nga ligji i kaluar edhe nga dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore”, ka thënë ministrja Haxhiu.

“Si qytetare e këtij vendi, si grua, si nënë por edhe si ministre refuzoj të jetoj në një shoqëri ku vajzat dhe gratë shihen si qytetare të dorës së dytë, prandaj edhe po angazhohem për ditë që ta thyej këtë mentalitet patriarkal”, ka thënë ajo, transmeton RTK

Caka-Nimani: Inicialet e grave të vrara, dështim i shtetit

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese , Gresa Caka-Nimani, në konferencën “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore ‘Dialogu gjyqësor për përgjigje gjyqësore efektive”, ka deklaruar se inicialet e grave të vrara janë dështimi i shtetit dhe shoqërisë.

“Inicialet e grave të vrare nuk janë thjesht statistika, ato reflektojnë histori të trishta të grave kosovare që iu janë nënshtruar dhunës në familje, histori plagësh të familjeve e fëmijëve të cilët shumicën e rasteve kanë qenë dëshmitarët e vrasjes së nënave të tyre, reflektojnë dështimin e shtetit e shoqërisë”, ka thënë ajo.

Ajo ka përmendur disa raste të ndryshme të femicidit, teksa edhe ka potencuar që institucioni që drejton ka konstatuar dështim të shkeljes së të drejtës në jetë në raste të ndryshme, raporton RTKlive.

“Që në fillet e themelimit të saj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar dështimin e përmbushjes së detyrimeve pozitive të shtetit, përkatësisht shkeljen e së drejtës në jetë në rastin e Diana Kastratit. Një dekadë më tej Gjykata sërish konstaton të njëjtën në rastin e Sebahate Morinës”, ka thënë ajo.

Caka-Nimani i ka cilësuar ato si thirrje për bashkërendim e mobilizim.

“Sigurisht që praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese, duhet të ketë rol parësor në zbatimin e Konventës së Stambollit. Kjo praktikë gjyqësore përtej që është e konsoliduar në kontekst të parimeve që ndërlidhen me barazitë gjinore, ajo gjithashtu ka vendosur parimet që ndërlidhen me detyrimet pozitive për mbrojtjen e së drejtës për jetë”, ka thënë deklaruar kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka-Nimani./ KultPlus.com

Të ngjajshme