Ministrja Nagavci: Arsimi është një e drejtë e garantuar për të gjithë fëmijët pa dallim

10 Shkurt, 2022 - 3:42 pm

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se asnjë fëmijë nuk do të mbetet jashtë shkollës, përcjell KultPlus.

Ky reagim vjen pasi shumë nga fëmijët me nevoja të veçanta kanë problem në qasjen në shkolla.

Nagavci ndër të tjera ka thënë se ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit në komuna që të sigurohen për themelimin/funksionalizimin e ekipeve vlerësuese pegadogjike për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Ajo gjithashtu thotë se MASHTI ka hartuar instrumentet e standardizuara për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Ministrja e Arsimit gjithashtu ka treguar se tashmë janë punësuar 100 asistentë, të cilët janë duke u kujdesur për këta fëmijë dhe duke u monitoruar nga Ministria.

KultPlus iu sjell postimin e plotë:

Asnjë fëmijë nuk do të mbetet jashtë shkollës!

Arsimi është një e drejtë e garantuar me konventa e ligje për të gjithë fëmijët pa dallim dhe ne do të sigurohemi që të gjithë fëmijët në Kosovë të kenë çasje në edukim e arsim. Do të ofrojmë mbështetje për secilin fëmijë që ka nevojë e do të sigurohemi që të gjitha palët e përfshira në procesin edukativo-arsimir të realizojnë me përpikmëri përgjegjësitë e tyre.

Sot, kam kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit në komuna që të sigurohen për themelimin/funksionalizimin e ekipeve vlerësuese pegadogjike për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Mungesa apo jofunksionaliteti i ekipeve vlerësuese pedagogjike në komuna  po i dëmton fëmijët me nevoja të veçanta, prindërit dhe shkollat pasi që nuk arrijmë të kemi të dhëna/informata të sakta për nxënësit me nevoja të veçanta, shkallën e funksionalitetit të tyre, nevojat që ata kanë për resurse dhe mbështetje pedagogjike. Si rezultat i kësaj ne kemi fëmije me nevoja të veçanta pa përkrahje, prindër të pakënaqur dhe shkolla që ballafaqohen në përditshmëri me mungesë të përkrahjes nga nivelet komunale  për ta bërë punën e tyre më të lehtë dhe më profesionale.

Ekipet vlerësuese komunale janë mekanizma shumë të rëndësishëm për të vlerësuar dhe vendosur se cilët fëmijë me nevoja të veçanta kanë kosto të cilat vijnë si pasojë e aftësisë se kufizuar të fëmijës. Andaj në vitet në vazhdim mjete financiarë dhe burimoret njerëzore për këtë qëllim do të përfitojnë vetëm komunat të cilat nevojat për resurse dhe mjete financiare  i përcaktojnë bazuar në vlerësimin dhe nevojat e identifikuara nga ky vlerësim.

MASHTI ka hartuar instrumentet e standardizuara për vlerësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta. Instrumentet janë të bazuara në Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksionalitetit për fëmije dhe të rinjë (ICF) dhe janë të dizajnuara që t’i përgjigjen të gjitha llojeve të aftësisë se kufizuar  sipas qasjes bio-psiko-sociale, që nënkupton që e  vlerësojnë fëmijën në të gjitha aspektet.

Në mbështetje të funksionimit me të mirë të ekipeve vlerësuese janë hartuar edhe  dokumentet tjera përcjellëse për inicimin dhe dokumentimin e procesit të punës se ekipit vlerësues komunal. E gjithë pakoja me instrumente dhe dokumente përcjellëse është edhe në formën elektronike, për të lehtësuar dhe dokumentuar procesin e identifikimin, vlerësimit dhe përcjelljes së përparimit të fëmijëve me nevojat të veçanta, që janë në sistemin arsimor.

Përkundër rëndësisë së madhe të ekipeve vlerësuese për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore dhe faktit se kjo është e rregulluar me legjislacionin në fuqi, kjo kërkesë për vite me radhë vazhdon të jetë e shpërfillur nga  ana e komunave. Andaj sot edhe një herë kam kërkuar  themelimin e ekipeve vlerësuese,  ashtu që të angazhohemi bashkarisht për ngritjen e kapaciteteve të tyre për të kryer punën siç parashihet me legjislacionin në fuqi.

MASHTI, gjatë  muajve mars-maj 2022, me përkrahjen e Bashkimit Evropian/ Këshillit të Evropës do të ofroi trajnimin 5 ditor për të gjithë anëtaret e ekipeve vlerësuese komunale me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të tyre për të kryer funksionin për të cilën janë  themeluar. 

Ne po avancojmë politikat arsimore në këtë drejtim dhe tashmë kemi mundësuar punësimin e 100 asistentëve për këta fëmijë, proces që po monitorohet nga Ministria. Do të vazhdojmë punësimin e të tjerëve në vitet në vijim. Por krahas politikave të avansuara e gjithëpërfshirëse që janë kompetencë dhe përgjegjësi e jona, bashkëpunimi me komunat, shkollat, mësimdhënësit, prindërit e nxënësit është i domosdoshëm që të sigurohet arsim e mirëqenie për secilin. Fëmijët me nevoja të veçanta kërkojnë vëmendjen dhe kujdesin e të gjithëve.

Ne jemi të përkushtuar për bashkëpunim, në të njejtën kohë do të përdorim të gjithë mekanizmat që kemi në dispozicion që të sigurohemi për më të mirën për fëmijët tanë, sepse vetëm kështu do të sigurojmë një të ardhme më të mire edhe për vendin tonë! /KultPlus.com

Të ngjajshme