Ministrja Nagavci: I gëzohem aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët

19 Prill, 2022 - 3:07 pm

Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK) mbajtën sot protestë me moton “S’po shkohet n’shkollë”.

Përmes kësaj protesë në të gjitha qytetet e Kosovës, KNK synon të fuqizojë zërin e të gjithë nxënësve të shkollave të mesme të Republikës së Kosovës duke e paraqitur realitetin shqetësues me të cilën nxënësit tonë ballafaqohen në baza ditore.

Cilësia e arsimit, përmbajtjet mësimore, sjelljet e profesorëve, infrastruktura e institucioneve shkollore si dhe fenomenet negative prezente me të cilat përballen nxënësit e shkollave, janë vetëm disa prej pikave të cilat i kanë shtyrë nxënësit të marrin një hap të tillë.

Menjëherë pas kësaj protestë ka reaguar edhe Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë.

Nagavci është shprehur e lumtur për aktivizmin e të rinjëve për përmirësimin e cilësisë në arsim. Sipas saj, angazhimi ditor në Ministrinë e Arsimit ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim.

Ky është reagimi i plotë i Nagavcit:

I gëzohem aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët,

Të dashur nxënës, mësimdhënës, prindër e qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ndajmë shqetësimin plotësisht legjitim të shprehur nga nxënësit për gjendjen në sistemin e arsimit! Prandaj, angazhimi ditor në Ministrinë tonë ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim.

MASHTI veçse ka dëshmuar, me një numër të madh takimesh e marrëveshjesh bashkëpunimi të nënshkruara, që është i hapur për bashkëbisedim e bashkëpunim me të gjitha palët me interes për ndërmarrjen e hapave konkret për ndryshimin e gjendjes në arsim.

Për një vit sa jemi në qeverisje kemi punuar në përmirësimin e infrastrukturën ligjore, kushteve në shkolla dhe procesit mësimor. Po ndajmë me juve disa nga vendimet dhe punët konkrete tona, që janë edhe në linjë me hulumtimin e prezantuar nga studentët:

• Rritja e buxhetit për arsim për 12%, për vitin 2022;

• Ndarja e 3,500.000€ për institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional për përmirësimin e praktikës profesionale dhe sigurimin aksidental të nxënësve gjatë punës praktike;

• Themelimi i pesë Qendra të Karrierës; tre të tjera janë në proces;

• Hartimi i PSAK 2022-2026 si dokument orientues për zhvillimin e arsimit në proces të finalizimit (që përfshin investime domethënëse në infrastrukturë, digjitalizim dhe në cilësinë e arsimit);

• Ndryshimi i formulës së financimit për arsimin parauniversitar duke mundësuar ri-organizimin e rrjetit të shkollave, duke ofruar kushte më cilësore për punë;

• Planifikimi që secila klasë në Kosovë të ketë së paku një kompjuter dhe projektor, brenda pesë vitesh;

• Mbështetja e më shumë se 3,000 mësimdhënësve në zhvillim profesional;

• Rishikimi i sistemit të vlerësimit të performancës, trajnimit dhe licencimit të mësimdhënësve, si dhe i organizimit të brendshëm të shkollës, me qëllim të sigurimit të mësimit cilësor në shkolla;

• Bashkëpunimi me të gjitha palët për shtimin e sigurisë në shkolla dhe krijimin e mjedist miqësor për të gjithë fëmijët;

• Ofrimi i mbështetjes për organizatat e shoqërisë civile që punojnë me fëmijë me talente të veçanta, me fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe me qendrat mësimore për fëmijët rom, ashkali dhe egjiptian;

• Vërja në fokus ndaj rritjes së besueshmërisë së testeve kombëtare, në mënyrë që të shtohet përgjegjësia dhe llogaridhënia në shkolla;

• Ndarja e mbi 3000 bursa për të rejat e të rinjtë tanë që studiojnë brenda dhe jashtë vendit;

• Nëshkrimi i marrëveshjeve me BE dhe anëtarësimi në HORIZON;

• Nënshkruami i programit ,,Fulbright” me Ambasadën Amerikane për hulumtime akademike;

• Ndarja e 30 mijë euro për projekte shkencore;

• 100 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta;

• 500 bursa për nxënës nga grupet e margjinalizuara;

• Funksionalizimi i Këshillit Kombëtar të Shkencës;

• Rifunksionalizimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Po përmirësojmë infrastrukturën fizike e ligjore. Rezultatet në arsim duhet dhe do të përmirësohen. Si ministre e pranoj seriozisht çdo shqetësim të nxënësve për cilësinë në arsim, për vendimet e tanishme të MASHTI-t, por edhe për simptomat që përjetojmë tani e që kanë burim një kohë e situatë tjetër.

Të ardhmen e sigurojmë me angazhim të përbashkët, me dije dhe arsim. / KultPlus.com

Të ngjajshme