12 Janar, 2022 - 9:45 pm
Task Forca për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në MASHTI, sot ka dalë me disa rekomandime, me theks të veçantë në respektimin me përpikëri të masave anti-COVID-19 nga të gjithë akterët e përfshirë në sistemin edukativ-arsimor, sipas udhëzimeve të IKSHPK dhe në përputhje me gjendjen epidemiologjike në vend.
Përfaqësuesit e IKSHPK-së, gjatë takimit, kanë ritheksuar nevojën e vaksinimit dhe respektimit rigoroz të masave parandaluese kundër pandemisë, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik dhe të sigurohet mbarëvajtja e mësimit.
Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se ndërprerja e mësimit nuk duhet të përsëritet dhe se në këtë drejtim duhet të respektohen masat mbrojtëse.
KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:
“Respektimi i masave dhe kujdesi i shtuar sigurojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Që nga shfaqja e COVID-19, fëmijët kanë përjetuar një fëmijëri dramatikisht të ndryshme që do ta mbajnë mend gjatë gjithë jetës së tyre. Kanë humbur orët mësimore, janë përballur me stres e presion të jashtëzakonshëm, ndarjen nga shokët, shoqet e mësuesit/et, dhe janë ballafaquar me mungesën e rutinës ditore. Si në shumë vende të tjera nëpër botë, edhe Kosova po vazhdon një vit tjetër shkollor në kushte të COVID-19. Ndërprerja e mësimit s’duhet të përsëritet.
Task Forca për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në MASHTI, sot ka mbajtur takimin e rradhës dhe ka dhënë disa rekomandime, me theks të veçantë në respektimin me përpikëri të masave anti-COVID-19 nga të gjithë akterët e përfshirë në sistemin edukativ-arsimor (prindërit, nxënësit, mësimdhënësit, drejtoritë e shkollave, DKA-të, etj.), sipas udhëzimeve të IKSHPK dhe në përputhje me gjendjen epidemiologjike në vend.
Përfaqësuesit e IKSHPK-së, gjatë takimit, kanë ritheksuar nevojën e vaksinimit dhe respektimit rigoroz të masave parandaluese kundër pandemisë, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik dhe të sigurohet mbarëvajtja e mësimit.
Që fëmijët të vazhdojnë të mësojnë, ne të gjithë duhet të respektojmë dhe zbatojmë masat mbrojtëse për COVID-19. Ky brez nuk mund të përballojë më ndërprerje në arsimin e tyre, prandaj ne duhet t’i mbajmë shkollat hapur. Nga kjo varet e tashmja e fëmijëve tanë, e ardhmja e brezit të ri”, ka shkruar Nagavci në Facebook. / KultPlus.com