Ministrja Nagavci: Mjetet t’ua transferojmë prindërve, vetë t’i blejnë librat

21 Gusht, 2023 - 2:03 pm

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) po e shqyrton mundësinë që këtë vit librat për nxënësit t’i blejnë vetë prindërit, ndërsa mjetet për librat ministra t’ua transferojë nëpër llogari prindërve. Kështu deklaroi të hënën në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Një nga ndryshimet për dallim nga vitet e kaluara, sivjet Ministria e Arsimit është duke shqyrtuar një metodë tjetër për shpërndarjen e librave.

“I njëjti tekst me çmimin 3 euro në një vit, në vitin vijues është shitur me çmimin prej 12 eurove. Sivjet jemi duke e shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore sipas obligimit ligjor të Ministrisë së Arsimit të bëhet në llogarinë e prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet e fëmijëve të tyre”, ka thënë Nagavci, transmeton RTKlive.

Tutje Nagavci tha se janë duke shqyrtuar mundësinë e përkthimit të lëndëve me interes për t’u përkthyer, digjitalizimin e teksteve shkollore dhe materialeve tjera dhe rishqyrtimin e vazhdueshëm të tyre.

Sa i përket rishqyrtimit, drejtuesja e arsimit në vend theksoi se janë duke u bazuar në raportin e Institutit Pedagogjik dhe raportin e Avokatit të Popullit, ku ky i fundit ka vlerësuar një sërë diskriminimesh gjuhësore e përmbajtjesore, veçmas për personat me aftësi të kufizuara.

“Kemi filluar rishikimin e teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Janë dorëzuar nga ekspertët raportet për rishikimin e këtyre teksteve dhe me gjetje tejet të rëndësishme. Besoj që gjatë javës së ardhshme do të kemi aktivitet ku do t’i prezantojmë ato”, ka thënë ministrja e Arsimit.

Tutje ajo ka përmendur se ka pasur parregullsi në konkurset e përzgjedhjeve të recensentëve.

“Furnizimi i nxënësve me tekste shkollore viteve të kaluara ka qenë mjaft sfidues, ky proces jo gjithmonë ka qenë i drejtë dhe cilësor. Ndonëse recensentët zgjidhen me konkurs dhe janë të pavarur në punën e tyre, por në anën tjetër duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të paimplikuar nga askush. Kemi pasur jo pak raste kur raportet e recensentëve kanë qenë të mangëta dhe jo të duhura. Vitin e kaluar kemi pasur 20 raste të recensentëve ku kemi marrë masa duke i drejtuar raportet e tyre në rivlerësim dhe duke i ndaluar që ata të marrin mundësinë e shqyrtimit të teksteve”, ka deklaruar Nagavci./rtk/KultPlus.com

Të ngjajshme