13 Tetor, 2022 - 11:45 am
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka numëruar sukseset në fushën e arsimit në më pak së dy vite punë, përcjellë KultPlus.
Sipas Nagavcit, Raporti i Progresit për Kosovën, në fushën e edukimit dhe arsimit ka identifikuar disa nga përparimet e punës së përbashkët të akterëve të arsimit.
Gjithashtu, Nagavci shprehet e bindur që për vitin e ardhshëm raporti do të jetë edhe më i mirë pasi do të përfshijë edhe shumë punë të cilat janë në procese finale.
Postimi i plotë i ministres Nagavci:
Për më pak se dy vite punë dhe angazhim me shumë përkushtim, janë evidentuar sukseset tona në fushën e arsimit.
Raporti i Progresit për Kosovën, në fushën e edukimit dhe arsimit ka identifikuar disa nga përparimet e punës së përbashkët të akterëve të arsimit, duke konstatuar:
Kosova ka përgatitur Strategjinë e re të Edukimit për pesë vitet e ardhshme, ku për herë të parë përfshihet plani për digjitalizimin e shkollave;
Kosova ka përfunduar me sukses negociatat me BE-në për t’u bërë anëtare plotësisht e asociuar e programit Horizon Europe;
Në kuadër të Horizon Europe, është ndërtuar një sistem funksional i pikave kombëtare të kontaktit dhe janë dhënë incentiva për organizatat dhe individët që kanë aplikuar për fonde evropiane;
Miratimin e vendimit për përputhshmërinë e punimeve shkencore dhe publikimeve të personelit akademik me etikën e hulumtimeve, duke i obliguar zotëruesit e programeve të ngarkojnë kërkimet e tyre në platforma të indeksuara përpara akreditimit të programeve të tyre;
Progres në arritjen e kritereve minimale të transparencës (bazuar në normat ndërkombëtare) në institucionet e arsimit të lartë. Të gjitha universitetet publike tani kanë dokumentet e tyre strategjike që do të nxisin zhvillimin e tyre;
Për herë të parë, MASHTI ka prezantuar arsimin dual për një numër të kufizuar të profileve, me qëllimin për të zgjeruar tutje në vitin shkollor 2022/2023;
Inicimin e zhvillimit të Kurrikulës bazë për profilet e shkollave profesionale dhe në proces implementimin e saj;
Zhvillim pozitiv në vendimin për të rritur numrin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta në shkolla, me 100 asistentë për secilin vit, së paku deri në 2024;
Është evidentuar mbështetja për grupet e margjinalizuara me theks në parandalimin e braktisjes së shkollës;
Nëntë studentë kanë përfituar bursë studimore, në kuadër të programit Erasmus +.
Po ashtu, duhet përmendur se disa prej rekomandimeve për t’i adresuar, e që lidhen direkt me ngritjen e cilësisë në Arsimin e Lartë, të evidentuara në këtë raport, tashmë janë arritur si:
Angazhimi i suksesshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim në rikthimin e anëtarësimit në Rrjetin Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), si anëtare e asocuar;
Projektligji për Arsimin e Lartë është finalizuar, ka kaluar të gjitha fazat e diskutimeve dhe shumë shpejt dërgohet në qeveri për miratim;
Projektligji për tekste shkollore është finalizuar dhe brenda pak ditësh procedohet për miratim në qeveri;
Jam e bindur që për vitin e ardhshëm raporti do të jetë edhe më i mirë pasi do të përfshijë edhe shumë punë të cilat janë në procese finale, e të cilat janë rekomanduar për t’u shqyrtuar nga ana jonë.
Ne do të vazhdojmë përpjekjet maksimale në përmirësimin e cilësisë në arsim për të gjitha nivelet dhe në planifikim e zbatim të mirëfilltë të reformave gjithpërfshirëse. / KultPlus.com