Ministrja Nagavci për keqtrajtimin e fëmijës: Shumë edukatore të involvuara, shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar

19 Shtator, 2023 - 10:34 am

Një fëmijë i moshës tre vjeçare dyshohet se është rrahur nga edukatoret në kopshtin “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë.

Një familjar i trevjeçarit, Fatos Geci, ka treguar se si nipi i tij është tërhequr zvarrë nëpër korridoret e kopshtit duke i shkaktuar edhe lëndime të rënda fizike.

Për këtë rast ka reaguar edhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Arbërie Nagavci e cila është shprehur thellësisht e shqetësuar nga ky rast, duke dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj fëmijës.

Sipas Nagavcit, ajo çka është ende më shqetësuese është fakti që në rast nuk bëhet fjalë për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar.

“Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor.

Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar.

Ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar.

Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme.

MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve”, shkruan Nagavci. / KultPlus.com

Të ngjajshme