Ministrja Nagavci: Përkrahja e institucioneve tona për vajza nuk do të ndalet

11 Tetor, 2022 - 2:56 pm

Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, ka zhvilluar një takim me disa vajza nga Këshilli i Nxënësve ku ka bërë të ditur se do të mbështesë vajzat dhe gratë përmes mbështetjes financiare për arsimimin e tyre por edhe mbështetje në forma të ndryshme.

Në statusin e publikuar, Nagavci thotë se janë të përkushtuar për barazinë gjinore në planprogramet arsimore, legjislacionin, strategjitë arsimore dhe po ashtu thotë se do të angazhohen për mbështetjen e vajzave dhe grave në fushën e arsimit.

Statusi i publikuar nga ministrja Nagavci:

“Bashkë me vajzat nga Këshilli i Nxënësve biseduam për politikat dhe veprimet që promovojnë përkrahjen e vajzave dhe grave përmes mbështetjes financiare për arsimimin e tyre por edhe mbështetjes në forma të ndryshme.

Si Ministri e Arsimit kemi integruar barazinë gjinore nëpër të gjitha dokumentet tona si kurrikula arsimore, legjislacion, strategji dhe programe dhe duhet të punojmë më shumë për implementimin e suksesshëm të tyre.

Po ashtu, kemi zhvilluar udhëzues për identifikimin dhe shmangien e diskriminimit gjinor në tekste shkollore. Të gjithë bashkë duhet të punojmë shumë në implementimin e suksesshëm të të gjithë këtyre politikave dhe strategjive.

Ështё promovuar gjithashtu mundësia e barabartë e vajzave nё ushtrimin e profesioneve tё stigmatizuara si “profesione pёr djem”, siç janë: inxhinieria, makineria, teknologjia, matematika dhe si rrjedhojё kemi rritje tё ndjeshme tё pjesëmarrjes sё vajzave nё shkolla profesionale.

Vitin e kaluar kemi ndarë 1365 bursa STEM ku 812 përfituese kanë qenë vajza/gra.

Po ashtu, gjatë vitit 2021 kemi përkrahur 24 kandidatë për bursë të doktoratës për studentët që studiojnë në 500 universitetet me të mira në botë (prej tyre 10 kanë qenë vajza).

Përkrahja e institucioneve tё Republikës sё Kosovёs për vajza nuk do të ndalet.

Sot e çdo ditë tjetër, do të punojmë shumë në ofrimin e mundësive të barabarta për të gjitha vajzat.” / KultPlus.com

Të ngjajshme