30 Dhjetor, 2021 - 3:00 pm
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci ka mbajtur sot konferencën e fundit me gazetarë për këtë vit, në të cilën ka prezantuar punën, sfidat dhe të arriturat që e kanë përcjellë Ministrinë që nga koha kur mori detyrën më 23 mars 2021 e deri më sot.
Ministrja Nagavci fillimisht ka falenderuar gazetarët të cilët e kanë përcjellë sektorin e arsimit, duke u bërë kështu partnerë shumë të rëndësishëm në të gjitha proceset e zhvilluara në arsim.
Ajo theksoi se, janë bërë përpjekje maksimale për të qenë transparent duke u përgjigjur në çështjet për të cilat gazetarët janë interesuar, por edhe duke mbajtur konferenca të rregullta çdo të dytën të premte, ku secili prej tyre ka pasur mundësinë të informohet për të gjitha proceset në sektorin e arsimit.
Duke bërë prezantimin e aktiviteteve të realizuara këtë vit, ministrja Nagavci ka folur për vështirësitë që ka sjellë pandemia COVID-19 në realizimin e procesit mësimor, krijimin e hapësirave të reja shkollore dhe renovimin e atyre ekzistuese, edukimin e fëmijëve nga gupe të margjinalizuara, fuqizimin e Arsimit dhe Aftësimi Profesional, ndarjen e bursave për të gjitha nivelet, përmirësimin e infrastruktrurës ligjore dhe arsimin e lartë publik falas, duke përmbushur kështu një nga zotimet e Qeverisë.
Nagavci theksoi se, Ministria mbetet e përkushtuar në realizimin e planeve, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në arsim në të gjitha aspektet, ndërsa i ftoi gazetarët që edhe në vitin e ardhshëm të përcjellin punën në këtë dikaster ashtu siç e kanë përcjellë këtë vit.Ministrja po ashtu falënderoi partnerët zhvillimor për mbështetjen e ofruar në realizmin e politikave në arsim që synojnë gjithëpërfshirje dhe cilësi.
Rreth të arriturave dhe projekteve që ka realizuar Nagavci, është shkruar më shumë në postimin e saj të plotë në “Facebook”. /KultPlus.com