Ministrja Nagavci: Po jetësohet synimi jonë i kamotshëm për tekste shkollore më cilësore

22 Prill, 2022 - 1:06 pm

Jo rrallë është ngritur çështja e teksteve të dobëta shkollore për nga përmbajtja. Por si duket kësaj çështje po i vjen fundi. Ministrja e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka njoftuar sot se po jetësohet synimi i kamotshëm për tekste shkollore më cilësore, përcjellë KultPlus.

Sipas Nagavcit, reforma për tekste shkollore do të ketë trajtën e duhur. Ristrukturimi i procesit të hartimit, vlerësimit dhe botimit të teksteve shkollore do të mundësojë përzgjedhjen e teksteve shkollore që kanë cilësi, përmbajtje të saktë gjuhësore e shkencore, dhe përputhje me kurrikulë.

Ky është reagimi i plotë i Nagavcit:

Reforma për tekste shkollore do të ketë trajtën e duhur. Ristrukturimi i procesit të hartimit, vlerësimit dhe botimit të teksteve shkollore do të mundësojë përzgjedhjen e teksteve shkollore që kanë cilësi, përmbajtje të saktë gjuhësore e shkencore, dhe përputhje me kurrikulë.

Ekipi hartues i projektligjit për tekste shkollore po përmbyll sot me sukses maratonën disavjeçare, në zhvillim të këtij projektligji.

Projektligji për tekste shkollore parasheh mekanizma të mirëfilltë të transparencës dhe llogaridhënies që do të pamundësojnë edhe ndikimet në përzgjedhjen e teksteve shkollore që shpesh nuk kanë qenë në interesim më të mirë të nxënësve.

Mes tjerash, drafti i projektligjit parasheh administrim e procese të vlerësimit të teksteve shkollore në mënyrë transparente, profesionale dhe që kanë adresë të saktë

✔️Recenzentë kompetentë dhe publik. Vlerësimi i teksteve shkollore do të bëhet nga recenzentë të çertifikuar, me kontrata afatgjata, të cilët marrin përgjegjësi publike për punën e tyre.

✔️Projektligji do të mundësojë aplikimin me dorëshkrime nga vet autorët, të pakufizuar nga shtëpitë botuese. Për të ndihmuar procesin, do të ofrohen në vazhdimësi programe të ngritjes së kapaciteteve për autorët.

✔️Plani i botimit të teksteve shkollore do të jetë udhërrëfyesi i botimit të teksteve të reja shkollore, me afate dhe përgjegjësi të definuara për të gjitha palët e përfshira. Nuk do ketë më tekste shkollore me vonesë!

✔️Hallka e shpërndarjes së teksteve shkollore do të ridefinohet, për t’u kthyer në një proces digjital të pranimit dhe shpërndarjes së porosive për tekste shkollore për të gjitha shkollat.

✔️Do të ketë rishikim të vazhdueshëm të teksteve shkollore. Tekstet shkollore të miratuara për botim do të rishikohen nga mësimdhënësit përgjatë gjithë vitit mësimorë. Jo më tekste shkollore që ribotohen vetëm me faqe të parë ndryshe.

Ky projektligj shënon bazën e njërës prej segmenteve më të rëndësishme të ngritjes së cilësisë në arsim dhe është me interes thelbësor. Prandaj, ftoj të gjitha palët e interesura që të kontribuojnë me komentet e tyre pasi të nxirret projektligji në diskutim publik në fillim të muajit maj.

Interesi jonë i përbashkët është sigurimi i një arsimi më cilësor, më bashkëkohor dhe reflektues për nevojat e fëmijëve tanë. Rregullimi i mekanizmave që garantojnë tekste më të mira shkollore janë rruga e duhur në këtë drejtim. / KultPlus.com

Të ngjajshme