1 Dhjetor, 2021 - 1:20 pm
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se Kosova e ka respektuar vendimin që ishte marrë para dy vitesh për abetaren e përbashkët me Shqipërinë, por thotë se Shqipëria nuk e ka bërë një gjë të tillë
“Kosova ka respektuar dhe ka përdorur abetaren e përbashkët që është vendosur vite më parë mes dy shteteve”, ka deklaruar Nagavci në emisionin “Mirëmëngjes”.
Ajo sqaroi se marrëveshja për një abetare të unifikuar nuk është respektuar nga ana e Shqipërisë.
“Edhe vite më parë, është iniciuar, është pranuar dhe ka filluar të punohet me një abetare të përbashkët. Në Kosovë e kemi respektuar, e kemi pasur atë abetare në përdorim për një kohë të gjatë. Me aq sa jam në njohuri në Republikën e Shqipërisë nuk është përdorur e njëjta abetare në të gjitha shkollat apo gjatë gjithë kësaj kohe”, u shpreh ministrja.
Ndërkohë Nagavci komentoi edhe refuzimin e vizitës në Preshevë nga ana e autoriteteve serbe.
“Përgjigjja zyrtare nga ana e Serbisë na është dërguar pak minuta para nisjes së datës 27 nëntor. Përgjigja ishte e shkurtët. ‘Fatkeqësisht nuk mund t’u aprovohet leja për vizitë kësaj radhe, do ta shqyrtojmë në një rast tjetër kërkesën tuaj’, kështu na u tha”, tregoi ministrja.
Ajo tha më tej se kishin planifikuar të takoheshin me përfaqësues të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, por siguroi që bashkëpunimi nuk do të mungojë në të ardhmen./KultPlus.com