6 Qershor, 2022 - 2:56 pm
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka vizituar sot Qendrën me bazë në komunitet në Fushë Kosovë, e cila udhëhiqet nga organizata “The Ideas Partnership”, ku ka parë nga afër punën që bëhet në këtë qendër dhe ka biseduar me fëmijët që e frekuentojnë dhe me udhëheqësit e saj.
Ministrja Nagavci është informuar nga drejtori Arbon Osmani dhe stafi i organizatës për punën që bëhet çdo ditë me rreth 70 fëmijë të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë, si dhe planet për ta zhvilluar këtë qendër e cila një nga fushat kryesore të punës e ka edukimin.
Pasi që i përgëzoi për punën, ministrja Nagavci theksoi se organizata si kjo janë partnerë të rëndësishëm në synimin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit për gjithëpërfshirje në arsim.
Ministrja tha se e kemi vullnetin dhe gatishmërinë që të përmbushim obligimin për të ofruar mundësi të barabarta për secilin fëmijë përmes avancimit të politikave arsimore që e mundësojnë këtë.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci përmendi bursat që ndahen nga MAShTI për nxënësit e shkollave të mesme të larta të këtyre komuniteteve, ndërsa tha se këtë vit janë planifikuar edhe bursa për studentë, me fokus në Fakultetin e Edukimit, në mënyrë që në të ardhmen të kemi sa më shumë mësimdhënës nga komunitetet.
Ministrja Nagavci tha se Ministria e Arsimit është e hapur për bashkëpunim me secilën organizatë, e cila ka në fokus edukimin e gjeneratave të reja, veçanërisht sa i përket fëmijëve të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë, për t’i ndihmuar ata në forma të ndryshme që të jenë pjesë e sistemit arsimor dhe të mos e braktisin shkollën.
Me këtë rast, ministrja Nagavci ka vizituar edhe një klasë parafillore dhe një klasë ku marrin mësim plotësues nxënësit e klasëve të para, ndërsa më pas ka vizituar edhe objektin në ndërtim të Qendrës./ KultPlus.com