3 Prill, 2022 - 8:33 pm
Uranik Emini
Gala Mbrëmja Humanitare në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit u mbajt në Gjilan mbrëmë, kur edhe Vjosa Foundation organizoi gjithçka në perfeksion për një kauzë që mori mbështetje të mënjëhershme, pra, ndërtimin e një kampusi për adoleshentët autikë. Në mesin e shumë njerëzve të njohur nga Kosova, kjo natë filloi me moderatoren Vlora Merovci, që lexoi letrën e shkrimtarit të njohur Edmond Tupja dhe ajo u përcjellë edhe nga bashkëprezantuesi Arbër Selmani, shkruan KultPlus.
Mysafirët po mbyllnin vendet e mbetura në resortin e mirënjohur “Vali Ranch”, për t’u bërë gati që të fillonte edhe transmetimi live në Radio Televizionin e Kosovës. Ndërsa themeluesi i Fondacionit “Vjosa”, Lulzim Behxheti, u ftua i pari që të marrë fjalën dhe të fillojë mbarë këtë mbrëmje madhështore.
“Përkundër sfidave të mëdha, me miq të vërtetë u mbledhëm për të dhënë kontributin për adoleshentët me autizëm në ndërtimin e kampusit të parë. Gjithçka filloi me disa skica të thjeshta por miqtë e mëdhenj dallohen kur janë puntë e rënda. E falënderoj së pari drejtoreshën e KultPlus, Ardianë Pajaziti, që ka bërë punë të madhe në këtë rrugëtim. Gjithashtu edhe kryetarin e Gjilanit, Alban Hysenin, kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, dhe Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi”.
Përshëndetjen më speciale, Behxheti e ruajti për fund kur edhe përshëndeti Vjosën, vajzën e tij.
Më pas, Ardiana Pajaziti u ftua për një fjalim të shkurtër rreth kësaj kauze dhe rrugëtimit të saj, me ç ‘rast ajo falënderoi të gjithë që kontribuan në këtë çështje.
“Për mua si drejtuese e KultPlusit dhe stafit, nuk është hera e parë që po përballemi me një kauzë të tillë. E kemi dhënë maksimumin për ta realizuar këtë mbrëmje, kjo për dallim nga mbrëmjet e tjera kulturore që organizoi, kur bëhet fjalë për kauza të tilla emocionet janë të shumfishta, përgjegjësitë janë gjithashtu të mëdha por dashnia për këto kauza është mbi të gjitha”, tha Pajaziti duke falënderuar të gjithë artistët që nuk hezituan për asnjë moment të bashkoheshin në një kauzë të tillë.
Misioni i saj janë fëmijët me autizëm, Doktoresha Shpresa Xhakli, zhvilloi një bashkëbisedim me moderatorin Selmani, me ç ‘rast u fol shumë për këta fëmijë dhe se sa shumë do të ndihmojë ky kampus për këta njerëz.
Gjatë gjithë mbrëmjes, Selmani dhe Merovci po ftonin artistët që të performonin në skenë dhe gjithashtu po qëndronin afër me njërëzit që po merrenin me thirrjet dhe donacionet.
Anna Krasniqi, e re në moshë por me shumë dashuri dhe pasion për pianon dhe këndimin, e nisi këtë mbrëmje së pari me një pikë të shkurtër me piano të cilën e trajtoi në mënyrën më dinjitoze pavarësisht përgjegjësisë së lartë që kishte.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, njoftoi se Komuna të cilën ai e drejton do të bëjë ndarjen e parcelës për ndërtimin e këtij kampusi, e madje për këtë pati edhe një dorështrëngim mes tij dhe Behxhetit.
Njëri prej njerëzve i cili ka përgjegjësi të plota rreth ndihmës që mund t’iu ofrojë si institucion njerëzve me autizëm është pikërisht i pari i shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili ishte i pranishëm në këtë mbrëmje.
“Fëmijëve me autizëm & Down Syndrome mund t’iu ndihmojmë të gjithëve, e këtë gjë do ta bëjmë edhe ne. Le t’i ndihmojmë fëmijët tanë, të rritur e miqtë tanë që të ndjehen sikurse të barabartë e në mesin e të gjithë neve”, deklaroi Latifi.
Portretet e varura në mur dhe të realizuar me dorë në fletë të thjesht nga Lulzim Behxheti, u vendosën në shitje gjatë kësaj mbrëmje dhe pati edhe thirrje të shumta e njerëz të interesuar që t’i blinin ato realizime artistike.
Kënaqësi të njëjtë shprehi edhe Kryetari Përparim Rama, i cili gjithë fjalimin e tij e filloi me falënderime për inicativën e mrekullueshme dhe gjithashtu edhe një historik të shkurtër për Autizmin dhe se si filloi vetëdijësimi për të.
“Sot në vitin 2022 nuk është vetëm çështja te vetëdijësimi te njerëzit me autizëm, por gjithashtu edhe pranueshmërinë, duhet të dijmë që të jemi të kënaqur që kemi njerëz në komunitetin tonë që kanë aftësi të veçanta. Kur flasim për njerëzit e veçantë, gjatë viteve në histori e dijmë që njerëz e personalitete të ndryshme nëpër botë si Leonardo Da Vinci, Bill Gates e Michelangelo kanë një autizëm të lehtë. Ne do t’iu ndihmojmë fëmijëve, prindërve nëpërmjet krijimit të institucioneve, ndërtesave e kampusve sikurse kjo. Ne si Komunë e Prishtinës e kemi ndërtesën, e cila sipas gjitha gjasave do të përfundojë në fund të prillit, Qendrën e Autizmit e shpresojmë që të zgjerohet kjo në të gjithë Kosovën”, tha Rama.
Performancat nga artistët që kanë pushtuar çdo skenë të mundshme të botës nuk munguan për të shënuar këtë mbrëmje të veçantë dhe me shumë sharm në të gjitha aspektet, por humanitare në radhë të parë.
Me zërin e saj që dridhëronte skenën dhe shtonte emocionet në shpirtin e secilit njeri, Inva Mula u kujdes të jepte gjithçka nga vetja që të pranishmit ta shijonin me të vërtet këtë gala mbrëmje.
Ndërkaq, ambasadorja e këtij fondacioni, Erza Muqolli, e cila ka një karrierë të jashtëzakonshme, arriti që përmes zërit të saj të ëmbël të përcjellë vetën në piano dhe të shfaq përpara aftësitë e mrekullueshme që i posedon. E për t’i dhënë edhe më shumë hijeshi kësaj mbrëmjeje, ishte e pranishme edhe një nga pianistet më të mëdha që ka Kosova, Lule Elezi, që i nderoi të gjithëve me performancën e saj në këtë mbrëmje Gala.
“Dancing House” me fëmijët të udhëhequr nga Artan Jerliu, i shtuan diversitetin e plotë kësaj nate të mbushur me yje.
Siç njoftoi Behxheti, nga kjo mbrëmje u tubuan 24 mijë e 565 euro nga shitja e portreteve si dhe përmendi edhe premtimin e parcelës nga Komuna e Gjilanit. Ndërkaq, fondi mund të mbushet edhe më shumë pasi portretet do të vazhdojnë të shiten dhe fëmijët autikë të ndihmohen. /KultPlus.com