12 Mars, 2025 - 5:59 pm
Më 12 mars të vitit 1891 lindi reformatori i arsimit shqiptar, Mirash Ivanaj (12 mars 1891 – 23 shtator 1953).
Ivanaj ishte një personalitet i shquar në kohët kur jetoi e punoi por jehona e veprimtarisë dhe e përpjekjeve të dalluara të tij, sidomos në fushën e Arsimit, do të ndihej më shumë në vitet që do të pasonin edhe pse i harruar dhe mbase për shumë shqiptarë i panjohur deri në ditët e sotme.
Mirash Ivanaj, lindur në Podgoricë, ridhte nga një familje patriotike prej viseve shqiptare të Malit të Zi. Studimet e larta i kreu me anën e një burse në Universitetin e Romës, ku fitoi dy diploma, për letërsi-filozofi dhe jurisprudencë duke përfunduar me rezultate të shkëlqyera pavarësisht jetesës së vështirë prej bursisti në shtet të huaj.
Në këtë kohë Ivanaj zotëronte afro dhjetë gjuhë të huaja. Në vitin 1923, u vendos në Shkodër ku themeloi, bashkë me të vëllain, Martinin, revistën “Republika” si një mjet për të shpalosur idetë e lirisë, demokracisë dhe të atdhedashurisë në realitetin e ndërlikuar shqiptar dhe për të ndriçuar me idetë republikane me të cilat ishte njohur e formuar në Itali, botën shqiptare në përgjithësi dhe politikën në veçanti.
Në vitin 1932, u bë pjesë e politikës dhe e jetës parlamentare. Projektligji i 11 prillit 1933 që u quajt “Reforma Ivanaj”, u sulmua jo vetëm në shtypin e kohës, por edhe në arenën ndërkombëtare, duke u bërë subjekt gjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, si rrjedhojë e kyçjes së shkollave fetare në vend.
Pushtimi italian do të sillte largimin e Ivanajt nga Shqipëria drejt Lindjes së Mesme. Në vitin 1945 do të rikthehej në tokën mëmë, pas garancisë së qeverisë së re për pushimin e procesit gjyqësor kundrejt tij. Emri i tij, si pjesë e listës së intelektualëve, do të përfshihej në listat e sigurimit të kohës. Si rezultat, “Profesori” do të arrestohej më 15 maj 1947.
U akuzua si mbështetës i regjimit të shkuar si edhe bashkëpunëtor i anglo-amerikanëve. U dënua me 7 vjet heqje lirie dhe në prag të përfundimit të dënimit, humbi jetën në burg./atsh/KultPlus.com