Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën është miratuar edhe vendimi për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
Në bazë të rekomandimeve të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ministritë e linjës, palët e interesit dhe ekspertët përkatës, në këtë mbledhje u vendos për masat kundër COVID-19.
Vendimi hyn në fuqi nga dita e sotme, data 1 mars 2022.
Bashkëngjitur vendimi për masat e reja:
A. [Zbatimi territorial]
Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
B. [Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës]
Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:
Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë me dy doza ose me një dozë të vaksinës Janssen (J&J) që nuk ka kaluar më shumë se 12 muaj nga marrja e dozës së fundit;
Certifikatën e vaksinimit me një dozë e shoqëruar me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë;
Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 në 90 ditët e fundit (test RT-PCR pozitiv i lëshuar 21–90 ditët e fundit);
Dëshmi se personi e ka marrë dozën e tretë/përforcuese
Dëshmi të testit RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë.
Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.5 lirohen:
Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova (tranzit) brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh dhe që dalja në pikë kufitare të jetë e ndryshme nga hyrja kufitare;
Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19;
Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;
Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;
Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë dhe pjesëtarët e trupave të KFOR;
Personat nën moshën dymbëdhjetë (12) vjeçare;
Shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës ose testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak për një periudhë prej shtatë (7) ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës;
Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, të administruar jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).
Personat nga mosha 12 vjeçare deri në moshën 16 vjeçare duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë.
C. [Mbrojtja dhe siguria në punë]
Të gjithë punonjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve publike qendrore e lokale, i bizneseve private, organizatave, si dhe subjektet tjera, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës:
Certifikatën e vaksinimit me më së paku dy doza ose një dozë të vaksinës Janssen kundër COVID-19;
Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi, duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ për COVID 19 jo më të vjetër se një javë;
Nëpunësi më i lartë administrativ, apo pozita ekuivalente, institucioneve publike, private, si dhe subjektet tjera, është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 deri 4.2.
Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]
Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.
Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës prej një (1) metër dhe shenja promovuese për vaksinim sipas dizajnit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.
Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, në ambientet e mbyllura.
Obligohen të gjitha institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që të caktojnë një punonjës që do të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 9 dhe posedimin e dëshmive sipas pikës 4.1 dhe 4.2.
D. [Institucionet e arsimit]
Procesi edukativ-arsimor në institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor zhvillohet sipas rekomandimeve për institucionet parashkollore të IKSHPK të datës 20.01.2022.
Procesi edukativ-arsimor në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar të të gjitha niveleve, si dhe në qendrat e qëndrimit ditor zhvillohet në përputhje me Udhëzuesit të MAShTI për organizimin e procesit mësimor në kushtet e pandemisë Covid-19. Task forcat e institucioneve edukative-arsimore vendosin për aplikimin e skenarëve për organizimin e procesit mësimor, varësisht nga gjendja në institucion dhe në klasa.
Procesi mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, si dhe në institucionet aftësuese dhe të arsimit joformal, mund të zhvillohet me prani fizike me kusht që grupet mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50% të hapësirës.
Studentët në mënyrë që të ju mundësohet regjistrimi në konvikt duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2.
Studentët në institucionet publike dhe private universitare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.
Stafi në të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, duke përfshirë institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.
Nëpunësi më i lartë administrativ, apo pozita ekuivalente, i çdo institucioni sipas pikës 14, 15 dhe 16, është i obliguar me vendim të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2.
E. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse.
F. [Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]
Përveç nëse përcaktohet ndryshe në këtë vendim, lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura deri në 50% të kapaciteteve (punëtori, mbledhje, seminare, trajnime apo grumbullime tjera). Përveç atyre nën moshën 12 vjeçare, obligohen pjesëmarrësit që të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 19.1 deri 19.4 në mënyrë që të ju lejohet hyrja në këto ambiente, si dhe organizatori obligohet të siguroj distancën fizike prej një (1) metër në mes të personave dhe kontrollimin e dëshmive përkatëse si:
Certifikatën e vaksinimit me së paku dy doza ose një dozë të vaksinës Janssen kundër COVID-19;
jo më të vjetër se 48 orë;
Certifikatën e vaksinimit me një dozë, jo më të vjetër se një (1) muaj;
Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 në 90 ditët e fundit (test RT-PCR pozitiv i lëshuar 21–90 ditët e fundit).
Mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave, duke u respektuar mbajtja e maskave dhe distanca fizike prej një (1) metër në mes të personave.
Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Shëndetësisë mundet që të lëshojë leje të veçantë, që tejkalon në 50% e kapaciteteve, për ngjarje të rëndësisë së veçantë në funksion të interesit publik.
Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore, në ambiente të jashtme. Organizatori obligohet të sigurojë respektimin e masave, përfshirë mbajtjen e distancës fizike prej 1 metër në mes të personave dhe paraqitjen e dëshmive të evidentuar në pikat 19.1 deri 19.4 përveç pjesëmarrësve nën moshën 12 vjeçare dhe bartjen e maskës.
Ceremonitë dhe ritet fetare lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre deri në 50% të kapacitetit shfrytëzues me kusht që posedojnë ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 19.1 deri 19.4 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura, në përputhje me udhëzuesin përkatës, përveç pjesëmarrësve nën moshën 12 vjeçare.
G. [Veprimtaritë dhe organizimet tjera ]
Prej datës 7 mars 2022, lejohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore deri në 50% të kapaciteteve, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Subjekti që menaxhon veprimtarinë është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 19.1 deri 19.4. dhe atë në secilën hyrje të objektit.
Gj. [Gastronomia]
Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 19.1 deri 19.4 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve, në përputhje me udhëzuesin përkatës, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.
Në lokalet e gastronomisë është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 19.1 deri 19.4.
Shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në pesëdhjetë (50%) e kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.
Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.
Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre sipas orarit të tyre të rregullt, në pajtim me nenin 40 të Ligjit Nr. 2004/ 18 për Tregtinë e Brendshme, rregulloret përkatëse komunale dhe Udhëzuesit përkatës të nxjerrë nga Ministria e shëndetësisë.
Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool.
H. [Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomik]
Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.
Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – një (1) person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.
Klientët dhe stafi në qendra tregtare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 19.1 deri 19.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.
Subjekti që menaxhon me qendrën tregtare është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 19.1 deri 19.4. dhe atë në secilën hyrje të qendrës tregtare.
I. [Puna me palë]
Në institucionet publike, private dhe subjekte tjera, punonjësit/personeli i cili ka punë me palë/kontakt të drejtpërdrejtë me klientë (duke përfshirë, por duke mos u kufizuar, berberë, vozitësit e taksive, punonjësit në markete dhe banka etj.), duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 19.1 deri 19.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në vendin e punës. Obligohet të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 19.1 deri 19.4. Inkurajohet pranimi i pagesave në formë elektronike, në vend të keshit.
Personi përgjegjës i institucionit publik, privat apo i subjekteve tjera, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1 metër nga grupet e tjera të personave.
J. [Transporti publik dhe ndërkombëtar]
Ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar pa maskë.
Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë sipas kapacitetit të ulëseve.
Stafi dhe pasagjerët e transportit rrugor duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 19.1 deri 19.4, në mënyrë që t’u lejohet veprimtaria, respektivisht udhëtimi në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.
Secili operator është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës në çdo mjet të transportit rrugor, që do të kontrollojnë pasagjerët për posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 19.1 deri 19.4.
K. [Teatrot, bibliotekat, etj.]
Bibliotekat, muzetë, kinematë, teatrot, qendrat rinore, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Obligohet mbajtja e maskës dhe distancës fizike prej një (1) metër në mes të personave.
Shfrytëzuesit e veprimtarive sipas pikës 42, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 19.1 deri 19.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.
Në veprimtaritë sipas pikës 42, duhet të caktohet me vendim një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 19.1 deri 19.4.
L. [Sporti dhe rekreacioni]
Lejohen organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Numri i pjesëmarrësve në garë (sportistë, klube, zyrtarë, dhe pjesëmarrës tjerë të nevojshëm për zhvillimin e garës) përcaktohet nga federatat sportive duke respektuar masën e distancës dhe masat tjera mbrojtëse.
Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura lejohet prania e shikuesve deri në 50% të kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (stadium, salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1 metër dhe masat tjera mbrojtëse.
Në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve sipas kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive duke respektuar masën e distancës prej 1 metër dhe masat tjera mbrojtëse.
Shikuesit në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura apo të jashtme, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 19.1 deri 19.4.
Organizatorët e garës janë të obliguar të caktojnë persona përgjegjës për kontrollimin e posedimit të ndonjërës nga dëshmitë sipas pikës 19.1 deri 19.4, si dhe të ndërmarrin masat specifike, në përputhshmëri me protokollet ndërkombëtare, për menaxhimin e masës (tifozëve) para, gjatë dhe pas hyrjes në hapësirën sportive.
Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative. Klientët dhe stafi, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e përcaktuara në pikën 19.1 deri 19.4 të këtij Vendimi.
Çdo fitnes, palestër dhe i ngjashëm është i obliguar të caktojë të paktën një punonjës i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 19.1 deri 19.4.
Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme, bëhet në proporcion 1 klient në 10 m2.
Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për pastrimit) në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijësimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit.
M. [Banjat termale]
Për të hyrë në banja termale, klientët dhe stafi duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e përcaktuara në pikën 19.1 deri 19.4 të këtij Vendimi, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare. Obligohet caktimi i të paktën një punonjësi i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 19.1 deri 19.4.
N. [Të dhënat personale dhe mënyra e kontrollimit të dëshmive sipas pikës 19.1 deri 19.4]
Caktimi i personave të autorizuar apo punonjësve të autorizuar për kontrollimin e dëshmive sipas pikës 19.1 deri 19.4, bëhet përmes vendimit ku përcaktohet emri dhe mbiemri i personit të autorizuar. Këta persona duhet të jenë të identifikueshëm përmes kartelës/shenjës identifikuese dhe emrat e tyre të afishohen në hyrje të institucionit, qendrave tregtare, lokaleve të gastronomisë dhe cilitdo biznes tjetër.
Prezantimi i dëshmive të përmendura në pikën 19.1 deri 19.4, bëhet në një formë e cila nuk lejon që personat e autorizuar ose shërbimet e autorizuara për të kontrolluar posedimin e tyre, t’i mbajnë, t’i ruajnë, t’i regjistrojnë apo përpunojnë të dhënat që përbëhen në dëshmi në çfarëdo forme, përpos nëse subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në formë të shkruar për përpunimin e këtyre të dhënave.
Personat e autorizuar dhe të caktuar me emër, për të kontrolluar dëshmitë përmendura në pikën 19.1 deri 19.4, në rastet kur subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në formë të shkruar për përpunimin e këtyre të dhënave, nuk lejohen t’i mbajnë të dhënat ose ripërdorin ato për qëllime të tjera, përveç për konstatimin e posedimit të dëshmive, në interes të shëndetit publik dhe për qëllimet e vetme për të luftuar përhapjen e pandemisë COVID-19.
Nj. [Udhëzuesit dhe sqarimet]
Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të ndryshoj dhe plotësoj udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:
Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e COVID-19;
Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve, industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;
Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha niveleve;
Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe qendra tregtare;
Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete kulturore;
Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative dhe sportive;
Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik dhe ndërkombëtar;
Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor;
Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;
Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të mbajtjes për të huaj;
Udhëzuesit nga pika 59 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët ndaj të cilëve zbatohen.
Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e këtij Vendimi.
O. [Zbatimi]
Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente komunale, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).
Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike dhe parashikimet për dy javët në vijim.
Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK-së.
Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.
I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
P. [Shfuqizimi i vendimit Nr. 01/59]
Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 01/59, i datës 04.02.2022.
Q. [Hyrja në fuqi]
Vendimi hyn në fuqi në datën e publikimit në Gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës.