19 Tetor, 2020 - 7:02 pm
Sot, është bërë e fitur se qeveria ka marrë vendimin për miratimin e tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur dhe të drejtën e autorit me rastin e ritransmetimit, përmes të cilit vendoset kompensimi i drejtë dhe adekuat për autorët, krijuesit e investitorët e veprave audio-vizuale.
Me këtë vendim, krijohet një sistem funksional i drejtës së autorit që u mundëson bartësve të drejtave kompensimin të drejtë për veprat e tyre, si dhe përmbushet obligimi për zbatimin e të drejtave pronësore intelektuale që dalin nga neni 77 dhe 78 i MSA-së.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e cila e konsideroi një vendim historik për një të ardhme më të mirë për autorët e krijuesit e vendit tonë.
‘Duke pasë parasysh rëndësinë e kompensimit të krijuesve, autorëve dhe mbajtësve të tjerë të drejtave, si dhe rëndësinë për krijimtarinë intelektuale dhe kulturore, uroj krijuesit, artistët dhe autorët për këtë vendim historik, për një të ardhme më të mirë për autorët e krijuesit në vendin tonë‘, u shpreh ndër të tjera Dumoshi. / KultPlus.com