13 Dhjetor, 2022 - 6:45 pm
Në takimin e dytë të Komisionit Ministror për hartimin, përgatitjen dhe zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë”, u shqyrtua dhe miratua Plani i Veprimit për ndërtimin e këtij memoriali, hartuar nga Grupi Punues i mandatuar me Vendimin e Komisionit Ministror, të datës 13 tetor 2022, përcjell KultPlus.
Në hapje, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e veçantë që ka ky proces. Ai ritheksoi se është detyrë e secilit prej nesh, që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi, e që e vërteta të dalë në pah për të gjitha jetët e humbura të fëmijëve gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
“Jam e nderuar të jem pjesë e këtij procesi kaq të rëndësishëm, në përpjekjet tona të përbashkëta për përkujtimin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë”, tha kryesuesja e Grupit Punues, Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Grupi Punues, i mandatuar me hartimin dhe monitorimin e Planit të Veprimit për ndërtimin e Memorialit për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë, me përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të zgjerohet me përfaqësues të familjeve të fëmijëve të vrarë gjatë luftës, ekspertë, përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare. / KultPlus.com