19 Dhjetor, 2024 - 4:45 pm
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka njoftuar se ditën e djeshme, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është miratuar propozim vendimi që i hapë rrugë themelimit të Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri.
“Vendi ynë do të ketë një muze të dinjitetshëm ku do të dokumentohen dhe prezantohen krimet e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë. Muzeu fillimisht themelohet si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, dhe pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Muzetë, si institucion i pavarur muzeal i nivelit kombëtar”, kanë njoftuar nga ministria.
Tutje, në njoftim thuhet se do të ndërmerren të gjithë hapat përkatës për hartimin e konceptit muzeor dhe kuratorial, si dhe për projektin arkitektonik dhe hapësinor të ndërtesës së Muzeut.
“Muzeu do të vendoset në ndërtesën ku aktualisht është Ministria e Kulturës ndërsa paralelisht do të zhvillohen procedurat për zhvendosjen e administratës në një ndërtesë tjetër ose një të re”, thuhet tutje në njoftim./KultPlus.com