24 Dhjetor, 2024 - 9:00 am
Me një vijë bregdetare me pamje nga detet Adriatik dhe Jon, Shipëria ofron një Rivierë mahnitëse me plazhe dhe limane të bukura, që mund të rivalizojnë lehtësisht vendet fqinje që gjenden në brigjet e saj, shkruan Lucy Skoulding në të përditshmen britanike “Mirror”.
Adhuruesit e diellit në kërkim të një parajse ‘miqësore me buxhetin’ me më pak turma vizitorësh se Spanja apo Kroacia, tani po e kthejnë shikimin drejt xhevahireve të fshehura të Shqipërisë.
E vendosur midis deteve Adriatik dhe Jon, Shqipëria krenohet me një Rivierë që të lë pa frymë, të kompletuar me plazhe idilike dhe limane të izoluar.
Turistët aventurierë e kanë krahasuar këtë destinacion nën radar me vendpushimet më të shtrenjta dhe të populluara.
Ekspertja e udhëtimeve, Laura Hewson, e cila eksploroi Shqipërinë vjeshtën e kaluar, ndau përvojën e saj.
“Në atë kohë, se bashku me shoqen time, Farrell Modd po planifikonim të shkonim në Kroaci. Por, një nga miqtë tanë që kishte qenë në Shqipëri tha se duhej të shkonim atje. Ai tha se ishte si Greqia dhe Kroacia, por më e lirë dhe shumë më e bukur pasi nuk kishte dyndje turistësh”, tha Laura Hewson.
Ajo shtoi se në Shqipëri, mund të përballonin një hotel me katër yje – me mëngjesin e përfshirë – me të njëjtin çmim që kishin paguar për qëndrimet në hostele në Itali dhe Spanjë.
Farrell Modd, zbuloi se rrjetet sociale kishin luajtur një rol në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacionin e tyre – duke shtuar se ishte mahnitur nga videot ku shfaqeshin peizazhe magjepsëse nga vendi.
Farrell ishte e entuziazmuar kur zbuloi se vendi i vogël mesdhetar ofronte ujëra të pastra kristal dhe vendpushime të shumta për not – të gjitha me çmime miqësore me buxhetin për turistët.
Gjatë një vizite në qytetin turistik të Vlorës në nëntor 2023, dy turistet britanike vlerësuan motin e butë 19 gradë Celsius.
Brezi i plazhit me palma ishte praktikisht i zbrazët, duke i lejuar turistet të shijonin plotësisht vendin – qytetit nuk i mungonin komoditetet për pushuesit që kërkonin argëtim – me çmime të përballueshme.
Në Shqipëri, një vakt kushton 10 deri në 15 paund për person – ndërkohë që turistët me buxhet të kufizuar mund të shijojnë picat e sapobëra për më pak se 5 paund.
Në qytetin bregdetar, Vlorë, birrat kushtojnë vetëm 2 paund, ndërsa pijet alkoolike dhe koktejet rreth 4 paund.
Fluturimet nga Britania e Madhe janë gjithashtu të përballueshme, me fluturime direkte nga Londra në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, të disponueshme për vetëm 28 paund./atsh/KultPlus.com