8 Gusht, 2020 - 2:00 pm
Virologët gjermanë kanë bërë thirrje që përdorimi i maskave në shkolla të jetë i obligueshëm në kohën kur institucionet arsimore po rihapen pas pushimit veror.
“Për shkak të rrezikut të vërtetë të infektimit mes nxënësve që janë asimptomatikë, ne bëjmë thirrje për përdorim të rreptë të maskave në të gjitha klasat, përfshirë kohën e orës mësimore”, thuhet në një letër të virologëve.
Ekspertët gjithashtu rekomandojnë që të krijohen grupe më të vogla të mësimit për ta shmangur kontaktin mes nxënësve, për rritje të masave për qarkullim të ajrit në klasë dhe zgjatje të mundshme të pushimit dimëror, në rast se numri i rasteve rritet gjatë dimrit.
Letra e hapur e virologëve u publikua në kohën kur Gjermania e ka nisur procesin e rihapjes së shkollave pas pushimit veror. Rajoni Mecklenburg-Ëest Pomerania ishte i pari që i rihapi shkollat në këtë shtet.
Sidoqoftë, dy shkolla atje u mbyllën të premten pas konfirmimit të rasteve të koronavirusit.
“Ne po paralajmërojmë për gabimin e të menduarit se fëmijët nuk luajnë rol në pandemi dhe infektime. Ide të tilla nuk janë në vijë me të dhënat shkencore”, thuhet në letrën e virologëve.
Ditëve të fundit, numri i rasteve të koronavirusit në Gjermani ka shënuar rritje. Në 24 orët e kaluara, në këtë shtet u regjistruan 1,122 raste të reja. Insajderi.org / KultPlus.com