26 Tetor, 2020 - 5:58 pm
Vijon nisma e Federatës së Mjekëve në Evropë për të sjell në gjuhën shqipe disa nga protokollet më të reja të trajtimit të COVID-19 të aplikuara në vende të ndryshme. Një iniciativë kjo që i vjen në ndihmë sistemit shëndetësor, mjekëve dhe pacientëve shqiptarë.
Së fundmi Federata e Mjekëve në Evropë ka publikuar protokollin francez të terapisë së Covid-19, i cili është përpunuar nga Teni Kamberi, mjek specialist i Anestezisë dhe Reaminacionit.
Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetarja e Federatës së Mjekëve në Evropë, Aurora Dollenberg.
Dollenberg sqaron se qëllimi i kësaj nisme të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë është që protokolli përkthyer e firmosur prej mjekëve specialist t’u bashkëngjitet protokolleve të mbledhur nga vendet e tjera evropiane dhe të krahasohet me protokollin shqiptar, për të përmirësuar dhe mbështetur punën e kolegëve dhe pacientëve në Shqipëri.
Deri më tani Federata e Mjekëve në Europë ka sjellë në gjuhën shqipe edhe protokollin mjekësor kundër Covid- 19 të SHBA-ave dhe Austrisë. / KultPlus.com