12 Maj, 2022 - 9:15 pm
Presidenti i Republikës Ilir Meta çmoi Profesor Doktor Fatmir Shehun me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Në vlerësim të meritave të jashtëzakonshme dhe kontributit të drejtpërdrejt në revolucionarizimin e teknologjisë së shpimit të puseve të naftës dhe gazit në vendin tonë, në vitet ‘80-të. Me mirënjohje për veprimtarinë e pasur shkencore, për promovimin e palodhur në përhapjen dhe aplikimin e dijes e të shkencës në industrinë tonë të naftës, si dhe për kontributin e madh të dhënë në formimin e brezave të inxhinierëve të rinj të vendit.”
Në fjalën përshëndetëse drejtuar familjarëve dhe kolegëve të pranishëm në ceremoninë e dekorimit, Presidenti Meta shprehu kënaqësinë për vlerësimin e një inxhinieri dhe profesori të nderuar, një personalitetit të shquar të shkencës shqiptare e të industrisë së naftës, Prof. Dr. Fatmir Shehu.
Profesor Shehu ka lindur në zonën e Fierit, ku shumë familje e kishin të lidhur punën dhe jetën me naftën dhe gazin. Kështu ndodhi edhe me të.
Vetëm 14-vjeç ai hyri në botën e naftës, përmes studimeve në shkollën e mesme ‘Teknikumi i Naftës’ Kuçovë, për të vazhduar dhe përfunduar më pas, Universitetin e Tiranës, Fakultetin Gjeologji-Miniera, si inxhinier i shpim-përpunimit të vendburimeve të naftës e gazit.
Si inxhinier i ri filloi punë në kantier, por brenda tij kishte pasionin e fortë për shkencën dhe studimet shkencore. Ky pasion solli emërimin e tij, në Institutin e Studimeve e Projektimeve të Naftës e Gazit, të krijuar në qershor të vitit 1965 në Kuçovë.
Fillimi i punës në këtë Institut, solli edhe fillimin e studimeve të thelluara dhe intensive të inxhinier Shehut në fushën e shkencës e teknologjisë së shpimit të puseve në vendin tonë, që deri në atë moment kishte mbetur në koncepte dhe me praktikë të prapambetur.
Studimet e vazhdueshme dhe të pandërprera të literaturës së huaj, si dhe studimet e shumta laboratorike, arritën të sjellin identifikimin nga ana e inxhinier Shehut të disa nga arsyet dhe vështirësive të shpimit në vendin tonë.
Përtej kësaj, më e rëndësishmja ishte përcaktimi apo gjetja e ‘kurës’ së duhur për zgjidhjen dhe kapërcimin e problematikave të shpim-kërkimit, në të gjitha vendburimet e naftës e të gazit të zbuluar dhe po ashtu, ulja e kostove dhe pa avari teknologjike e shpim-kërkimit të puseve të reja.
“Inxhinier Shehu ka një meritë të jashtëzakonshme shkencore, me rreth 165 studime shkencore dhe laboratorike, në zbulimin e fenomeneve të reja e të panjohura të formacioneve me presione shumë të larta, si dhe zbulimit të metodave dhe mekanizmit teknologjik të kapërcimit të problematikës së tyre”, u shpreh Meta.
Ky zbulim bëri të mundur shpimin e puseve të shumta për gaz, në zona dikur të pakapërcyeshme dhe që kulmon me projektimin e teknologjisë së shpimit dhe të realizimit, në pusin me thellësi 6700 metra, në Ardenicë.
Kjo solli një sukses të jashtëzakonshëm për shkencën dhe teknologjinë tonë, duke e renditur ato ndër më bashkëkohoret, në krahasim edhe me vendet më të zhvilluara të naftës, në sektorin e shpimeve.
Aktiviteti dhe veprimtaria shkencore e botuese e Profesor Shehut ka qenë shumë e gjerë dhe e gjithanshme.
“Shqipëria është një nga vendet me burime natyrore më të mëdha në Europë, sidomos në rezervat e naftës dhe gazit, një pasuri që duhet të kthehej në mirëqenie vendin dhe për çdo qytetar. Në kontekstin e zhvillimeve të fundit është me shumë rëndësi që industria e naftës dhe e gazit të marrë mbështetjen që meriton, nëpërmjet investimeve moderne, që garantojnë jo vetëm furnizimin por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare”, përfundoi Meta./ KultPlus.com