18 Prill, 2022 - 4:30 pm
Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi kompozitoren e shquar, Lejla Agolli me titullin “Mjeshtër i Madh”.
“Me mirënjohje për vlerat e saj të mëdha në fushën muzikore shqiptare, të dhëna përmes krijimtarisë së vyer, me vepra të të gjitha gjinive. Në vlerësim, të promovimit të vlerave të muzikës shqiptare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për kontributin e veçantë në edukimin dhe formimin e brezave të rinj të artistëve.”
Në fjalën e tij drejtuar familjarëve dhe kolegëve artistë të pranishëm në ceremoninë e vlerësimit, Meta u shpreh se “është kënaqësi që jemi së bashku, për të vlerësuar kontributin e çmuar të një artisteje, me dimension të gjerë në fushën e muzikës, kompozitoren Lejla Agolli”.
Lejla Agolli ka studiuar kompozim dhe orkestrim, me kompozitorin e shquar Tish Daija dhe ka qenë e vetmja grua krijuese, që ka shkruar muzikë instrumentale simfonike, për vite me radhë, çka i jep një vlerë të veçantë figurës së saj artistike.
“Aktiviteti i Agollit, është karakterizuar nga një krijimtari e pasur muzikore, me vepra të mëdha instrumentale e simfonike, me koncerte për piano e rapsodi, të interpretuara nga orkestrat simfonike dhe solistët më të mirë të vendit”, vijoi Meta.
Karakteri shumë dimensional i krijimtarisë muzikore të Agollit është pasuruar duke shkruar muzikë në të gjitha gjinitë, duke filluar nga muzika e dhomës, kuintete, kuartete, albume pianistike, violinë, koncerte për piano, rapsodi, vepra simfonike, muzikë dhome, muzikë filmi, këngë, etj, që përbëjnë një kapital të çmuar të krijimtarisë sonë muzikore.
Agolli është fituese e shumë çmimeve në festivale dhe veprat e saj janë luajtur brenda dhe jashtë vendit, duke marrë vlerësime edhe jashtë vendit. Në vitin 2000, Agolli u përzgjodh të luante në Vatikan, në prani të Papës, një eveniment që sigurisht pasuroi, jo vetëm karrierën e saj, por edhe na bëri krenarë si shqiptarë. Për 7 vite, nga viti 2003 deri në vitin 2010, Agolli ishte drejtuese artistike e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke dhënë një kontribut të qenësishëm për këtë institucion, me krijimet e saj, përpunimet dhe përgatitjen e koncerteve të shumta brenda dhe jashtë. Përveç krijimtarisë, Lejla Agolli ka një kontribut të veçantë në edukimin e formimin e brezave të rinj të artistëve.
Si pedagoge e lëndës teorike e formuese të muzikës, ka punuar në vazhdimësi me përkushtim. Sot shumë nxënës të Agollit, janë artistë shumë të njohur që japin kontributin e tyre në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare. Ndërkohë, që puna kërkimore në Institutin e Kulturës Popullore, për gjatë gjithë karrierës, ka qenë baza e krijimtarisë muzikore me motive të traditës së hershme shqiptare të Agollit.
Meta the se, “me pasion, dedikim e punë të palodhur, Agolli ka treguar se muzika është një urë lidhëse mes njerëzve, një gjuhë që tejkalon kufijtë dhe që afron popujt dhe kulturat e ndryshme, sepse arti, në vetvete, është pasqyrim i shpirtit të një kombi”, teksa vuri në dukje se, “me punën e saj kompozitorja Lejla Agolli ka kontribuar në pasurimin e trashëgimisë sonë muzikore”./ atsh / KultPlus.com