23 Tetor, 2021 - 8:58 pm
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar pasi autoritetet serbe kanë penguar hyrjen e sportistëve kosovarë në territorin e tyre, për shkak të simboleve shtetërore në uniforma, përcjell KultPlus.
Postimi i plotë i MKRS-së:
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dënon ashpër vendimin e sotëm të auroriteteve të Serbisë, të cilët penguan hyrjen e sportistëve tanë në territorin e tyre, për shkak të simboleve shtetërore në uniforma.
Me këtë veprim, Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, kanë shkelur të drejtën e sportistëve dhe të drejtën e Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionat, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit.
Federata e Boksit të Kosovës është anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Boksit (AIBA).
Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit të Serbisë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të reagojnë me shpejtësi në mënyrë që garuesit tanë të arrijnë në kohë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet nga 24 tetori deri më 6 nëntor.
Këtë kërkesë e kemi drejtuar edhe me shkrim tek ministri i Rinisë dhe Sportit në Serbi, z. Vanja Udovičić./KultPlus.com